zoom

Politikë

Rudina Hajdari shpërthen në Kuvend: Rama do të jetë sulltan, Basha do të kryesojë i vetmi!

Kjo e hënë nis me një seancë plenare. Deputetja Rudina Hajdari gjatë fjalës së saj në Kuvend, deklaroi se klasa politike që udhëheq vendin, por edhe ajo që kërkon të vijë në politikë nuk e duan integrimin e vendit drejt BE-së.

Sipas Hajdarit, Ramës i pëlqen modeli turk, ndërsa Bashës i pëlqen të sundojë vetëm, duke eliminuar bashkëpunëtorët.

Hajdari: Këtë raportim sot për situatën mbi integrimin e Shqipërisë në BE dua ta bëj transparent për shqiptarët. Që nga vitit 1990 thirrjet e studentëve dhe të gjithë shqiptarëve ishin “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Nuk do të thotë thjesht që ne të lëvizim pa viza në vendet e BE, por të jetojmë dhe të punojmë si evropianë në Shqipëri, ne të kemi paga dinjitoze, shërbim shëndetësor dhe cilësor për të gjithë, do të thotë një klasë politike që udhëhiqet nga parimet dhe idetë, do të thotë institucione të mbushura jo me njerëz të paaftë, do të thotë një infrastrukturë moderne. Ky është procesi i integrimit evropian. Që të realizohet, qeveritë do të duhen të adoptonin një seri reformash që institucionet të përshtateshin me ato evropianet. Gjithçka që ka pasur klasa politike ne dorë ishte vullneti politik për ta çuar këtë proces përpara. Në 2014 ne morëm statusin e vendit kandidat dhe më pas nuk ka ndodhur asgjë, sepse klasa politike nuk e do integrimin. Imagjinoni Edi Ramën, Sali Berishën, Ilir Metën, Lulzim Bashën, në një republikë ku institucionet të mos varen nga partitë.

E di që nuk e imagjinoni dot në një Shqipëri të tillë ata njerëz nuk do jetonin fare, ose do të jetonin në një dhomë të ftohtë të rrethuar nga hekurat. Imagjinoni se si do të ishte Shqipëria si një vend evropian.

Imagjinoni një vend ku fëmijët marrin arsim në institucionet publike. Një vend ku ligji është i barabartë për të pasurin dhe të varfrin. Një vend ku asnjë kriminal nuk guxon të dalë hapur në mes të qytetit. Një vend ku policia ndëshkon krimin dhe jo njeriun e varfër. Një vend që ka paga dinjitoze dhe askush nuk detyrohet ti largojë fëmijët e tij në një vend tjetër për një të ardhme të mirë. Nëse arrihen këto do imagjinojmë përfundimin e procesit të integrimit evropian.

Unë jam një nga ata persona që është sulmuar pasi vendosa të rrija në Parlament, kur anëtarët e Partisë Demokratike e braktisën institucionin. Kur e pranova kisha në mendje këtë Shqipëri. unë e dija se braktisja e çdo institucioni na lë në baltë. Unë e di kjo nuk mjafton, nuk mjafton puna e një apo dy personave, duhet një vullnet politik, i të gjithë klasës politike. Ky që është sot kryeministër është shumë i lidhur me modelin turk të qeverisjes, i pëlqen të jetë sulltan. Atij jashtë i pëlqen modeli rus, një person që eliminon të gjithë bashkëpunëtorët dhe i shpall armiq për të sunduar deri në vdekje, edhe nëse foleja e tij shndërrohet në një barake.

Këta nuk e duan procesin e integrimit evropian se do të thotë më shumë fuqi për qytetarët dhe për ligjin e kushtetutën dhe më pak fuqi për tre apo 4 persona që prej 30 vite e katandisën Shqipërinë në një raport katastrofe.

Këta me plaçkën e bërë do të jetojnë në një vend tjetër ku politikanët nuk janë të babëzitur.

Mos mbështesni më këta njerëz. Kam besim që në prill do fillojë kthesën e këtij kombi. Forca qytetarë shqiptare dhe mos kini më frikë nga këta.

Postime të lidhura