Aplikacion
Edhe pse me arrnime, hapja e saj është një lajm i mirë. Por si pas çdo lajmi të mirë që kemi dëgjuar këto vite në Shqipëri, fshihen interesa të mëdha.
Rruga e Arbrit ka kushtuar plot 253 milionë euro. Kur kinezët e “China State Construction” u ofruan për ta ndërtuar rrugën, dhanë një vlerë thuajse 60 milionë më pak sesa shuma që do të marrë kompania shqiptare “Gjoka Konstruksion”. Kinezët u tërhoqën pasi shteti nuk dha garanci, ndryshe nga sa ndodhi me kompaninë shqiptare.
Fituesi i koncesionit u shpall me një garë elektronike. Tre ishin kompanitë në garë, por dy prej tyre paraqitën oferta të paplota. Në media u hodhën dyshime, në atë kohë, se dy kompanitë e tjera u futën në garë vetëm formalisht, “për të mos ngritur dyshime mbi rregullsinë dhe normalitetin e procesit” dhe se ata “u treguan konkurrentë të rehatshëm, pasi paraqitën oferat të paplota, në mënyrë që të skualifikoheshin dhe t’ia linin rrugën e hapur konkurrentit të tretë, kompanisë “Gjoka Konstruksion sh.a”.
Në korridoret e politikës dhe rrethnin e biznesit të gjithë flisnin për një garë fiktive, pasi ishte vendosur që ndërtimi do t’i jepej kompanisë së drejtuar nga Rrok Gjoka.
Qeveria i dha asaj pikët bonus në përputhje me ligjin për oferatat e pakërkuara. Por aplikimi i bonusit në këtë rast vetëm i shtoi dyshimet se vendimi qe marrë më përpara. Kjo për shkak se ndërtimi i rrugës kishte nisur që në vitin 2009 nga qeveria Berisha, me përfundimin e segmentit Bulqizë – Maqëllarë dhe oferta e pakërkuar nuk kishte vend më për këtë projekt. Për më tepër, projekti ishte ideuar dhe planifikuar nga shteti dhe ishte paguar nga buxheti.
Ky mund të quhet koncesioni i dytë më i madh në vend përsa i përket vlerës. Kompania “Gjoka Konstruksion” nuk pati garanci të mjaftueshme financiare. Për këtë arsye ajo u paraqit me një partner turk.
Vlera prej 253 milionë eurosh ishte afro 30 herë më e lartë sesa të ardhurat e kompanisë “Gjoka” në tre vitet e fundit.
Këto janë bilancet e kompanisë, të marra në QKR dhe të publikuara nga mediat në vitin 2018.
– 2014: kapitale 1 miliardë, xhiro 2 miliardë, fitim 150 milionë;
– 2015: kapitale 1,4 miliardë, xhiro 2,1 miliardë, fitim 350 milionë;
– 2016 kapitale 2,1 miliardë, xhiro 3,4 miliardë, fitim 700 milionë.
Për ndërtimin e rrugës shteti do të mbulojë 60 milionë euro ndërsa kompania 193 milionë, të cilat do t’i marrë nga shteti deri në vitin 2031 së bashku me fitimin e investimit.
Në fakt, vlera fillestare e paraqitur nga kompania “Gjoka Konstruksion” ishte 190 milionë euro.
Ekspertë të fushës kanë hedhur dyshime kostoja e punimeve është e fryrë në 253 milionë euro. Sipas tyre, kostoja reale mund të jetë shumë afër shumës së paraqitur nga kinezët dhe 60 milionë eurot shtesë janë para të fituara në mënyrë abuzive.
Hapja e rrugës është një ditë historike. Ajo ndihmon zonën e Dibrës dhe të Matit dhe afron më shumë Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë, veçanërisht zonat e banuara nga shqiptarët.
Por pa zgjatimin e saj në anën maqedonase, investimi është i paplotë dhe deri tani i leverdisshëm vetëm për kompaninë koncesionare që do të mbushë xhepat me një projekt, ku logjika lëkundet mes vlerës historike dhe dhe fitimeve marramendëse nga paratë e taksapaguesve. /Zoom.al