Aplikacion
Duket e pabesueshme, por vlera reale e këtij segmenti prej vetëm 54 kilometrash është 58.1 miliardë lekë, ose 484.8 milionë euro (541 milion USD).
Thënë më thjesht, 1 kilometër e kësaj Rruge Interurbane Dytësore, -sipas klasifikimit në Kodin Rrugor Shqiptar për kategorinë C2, – me 2 korsi kushton rreth 9 milionë euro (10 milion USD).
Shifra kolosale për një rrugë të tillë është jo vetëm e lartë, por edhe shumë larg asaj çfarë parashikohet në kontratën koncesionare të firmosur në vitin 2018.
Në kontratën e nënshkruar mes Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe kompanisë “Gjoka Konstruksion”, vlera e investimit të rrugës përcaktohet në 40.6 miliardë lekë ose afro 333 milionë euro, nga të cilat rreth 37.7 miliard lekë janë kosto ndërtimore dhe 2.6 miliard lekë janë kosto mirëmbajtje dhe operim i tunelit të Murrizit.
Informacion i marrë në faqen e ARRSH
Por në Relacionin e Buxhetit për vitin 2022 zbulohet se vlera për “Përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit” nuk është ajo që Autoriteti Rrugor Shqiptar ka firmosur dhe ka publikuar në faqen e tij zyrtare.
Janë plot 151.8 milionë euro më shumë sesa ishte shkruar në kontratë, siç rezulton nga Relacioni i Buxhetit 2022, në foton e mëposhtme.
Relacioni i Buxhetit 2022
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga Belinda Balluku, iu përgjigj më në fund një kërkese për informin të “Zoom.al mbi vlerën e kontratës, edhe pse ajo anashkaloi pyetjen se sa është vlera fise e kontratës.
Zyra e shtypit sqaroi se vlera e investimit dhe mirëmbajtjes është 280 milionë euro, pa TVSH. Duke i shtuar TVSH ajo arrin në 333 milionë euro, siç raportohet nga ARRSH.
Përgjigjja e MIE: Në zbatim të Kontratës së miratuar me VKM nr.180, datë 28.03.2018, për miratimin e Kontratës Koncesionit/PPP, “Për Përmirësimin, Ndërtimin, Operimin dhe Mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit”, ju informojmë se vlera e kontratës është 33,600,000,000 lekë pa tvsh nga ku vlera e mirëmbajtjes së rrugës e përcaktuar në kontratë është 840,000,000 lekë pa tvsh.
Pagesën buxhetore prej 484.8 milionë eurosh, Ministria, me të drejtë, nuk e ka përllogaritur si vlerë investimi. Por diferenca mes shifrave përbën atë se çfarë do të fitojë kompania “Gjoka Konstruksion” nga ky investim koncesionar në 13 vjet. Diferenca, sipas shifrave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Buxhetit është plot 151 milionë euro, çka përbën fitimin në këtë rast të kompanisë koncesionare.
Deri tani, nga nisja e punimeve – 31 dhjetor të vitit 2021, Ministrisë së Infrastrukturës ka paguar nga buxheti i shtetit 9.48 miliardë lekë, ose 79 milionë euro.
PAGESA DERI MË 31 DHJETOR 2021
TOTALI: 9,480,000,000
Për vitin 2019 – 3,780,000,000 lekë
Për vitin 2020 – 2,520,000,000 lekë
Për vitin 2021 – 3,180,000,000 lekë
Po përse kushton gjysmë miliardi euro një rrugë e tillë? Sa kilometër do të ndërtohen dhe cilat janë parametrat e rrugës?
Rruga e Arbrit, nga Tirana në doganën e Bllatës, është e gjatë 74 kilometër. Por segmenti nga Bulqiza në Urën e Çerenecit, me gjatësi 20.12 kilometër, është investim i kryer që në kohën e qeverisë së PD dhe është vënë në shfrytëzim.
Segmenti nga dalja e Urës së Vashës deri në Bulqizë, me gjatësi 9.6 kilometër, konsiston në plotësimin dhe përfundimin e punimeve të nisura po në kohën e qeverisjes së PD.
Segmenti Maqëllarë – Bllatë, me gjatësi 2.9 kilometër do të rikonstruktohet me parametrat e një rruge urbane.
Sipas të dhënave të ARRSH, vetëm vetëm segmenti nga Tirana në Urën e Vashës, 54 km, është rrugë e re.
MIRËMBAJTJA DHE PUNIMET SHTESË
Kompania “Gjoka Konstruksion”, që po e ndërton rrugën me koncesion, sipas kontratës do ta mirëmbajë atë për 13 vjet. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka parashikuar 2.6 miliardë lekë për mirëmbajtjen dhe operimin e tunelit.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e pyetur nëse ka punime shtesë në tunelin e Murrizit, tha se në tunel “kemi ndryshime të projektit” dhe se “nga ky ndryshim, tuneli ka një gjatësi rreth 3.9 km”.
Por a ka vlerë punimesh ekstra kompania për këtë segment ku po punon? MIE thotë se “çdo kosto është pjesë e përcaktimeve ligjore në kontratë dhe brenda detyrimit financiar në kontratën në fuqi. Theksojmë se, jo detyrimisht çdo ndryshim në projekt apo kostoja shoqëruese do të impaktonte vlerën e kontratës si dhe Autoritetin Kontraktor”.
AFATET
Rruga duhet të dorëzohet “me çelësa në dorë” në prill të këtij viti (2022). Por me afro 70 % të punimeve të realizuara deri tani, mbyllja e tyre në 3 muaj duket thuajse e pamundur. A është në kohë kompania me parashikimin për ecurinë e punimeve? Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thotë se “kompania koncesionare është duke zbatuar kontratën sipas projektit të zbatimit të miratuar për të përmbushur të gjitha afatet kontraktuale, për përfundimin e plotë të punimeve ndërtimore”. Siç kuptohet, Ministria nuk është në gjendje të thotë nëse afati i kontratës do të respektohet ose jo.
INTERESAT E KREDISË SHTUAN KOSTOT?
Të dhëna të publikuara në disa media investigative tregojnë se vlera e rrugës rritet akoma më shumë për shkak të interesit të kredisë që ka marrë kompania koncesionare “Gjoka Konstruksion” në bankat e nivelit të dytë, për kryerjen e punimeve.
Vetëm interesi për kredinë e marrë përllogaritet në 40 milionë euro, para që do të duhet të paguhen nga buxheti i shtetit.
Megjithatë, edhe me 40 milionë eurot për interesat e kredisë, kompania “Gjoka Konstruksion” do të fitojë 111 milionë euro nga ky koncesion.
Ekspertë të ndryshëm pohojnë se interesi do të kishte qenë më i ulët nëse kredia do të ishte marrë nga shteti apo nëse ajo do t’ia kishte lënë ndërtimin kompanisë shtetërore kineze “China State Construction”, e cila u ofrua për ta ndërtuar të gjithë rrugën me veprat e saj për 190 milionë euro, ose 294 milionë euro më pak sesa shteti do të paguajë për “Gjoka Konstruksion”.
DEBATET POLITIKE PËR KOSTON
Në tetor 2021, kryetari i PD, Luzlim Basha, deklaroi në kuvend se rruga kushtonte 58 miliardë lekë. Por kryeministri Rama tha se kosto ishte vetëm 33.6 miliardë lekë nga buxheti i shtetit
“Me aritmetikën tënde po, ashtu shkojnë rrugët, sepse ashtu u nis dhe Rruga e Kombit, dhe Rruga e Elbasanit. 33.6 miliardë lekë dhe nuk lëviz dhe nuk shtohet gjë te Rruga e Arbrit”, deklaroi Rama. /Zoom.al