zoom

Kosova

Rritje pagash në Kosovë, Albin Kurti tregon kush do të përfitojë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi rritje pagash për sektorin publik.

Rritja e pagave do të hyjë në fuqi nga janari i vitit 2025 dhe do të prekë mësuesit, infermierët, policët, zjarrfikësit dhe ushtarët.

“Shprehur në vlerë monetare i bie që për të gjithë të punësuarit në sektorin publik pagat do të rriten nga 55 euro nga janari, dhe për 110 euro nga muaji korrik i vitit 2025”, tha Albin Kurti.

Ai shpjegoi se rritja do të bëhet duke filluar nga ata që kanë rrogat më të ulëta, për të balancuar pagat.

“Duke pas parasysh nevojën për të mbështetur më së shumti ata që kanë paga më të ulëta, sidomos në këtë kohë kur i gjithë globi po përballet me kosto të rritur të jetës, ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar në rritjen buxhetore për pagat dhe kemi vendosur mos ta rrisim vlerën e koeificentit, por ta rrisim koeficientin për një njësi. Vlera e koeficientit mbetet 110 euro, mirëpo rritet sasia e koeficientëve për një njësi. Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm nga 0.5 njësi, pastaj nga korriku i vitit të ardhshëm edhe për 0.5 njësi”, ka thënë ai.

Kurti shtoi se me këtë vendim të rritjes së pagave ulet hendeku mes pagës më të lartë e më të ultë.

“Për mësuesin, policin, ushtarin, infermierin, zjarrfikësin rritja në përqindje do të jetë prej 18-20 përqind, kurse për pozitat më të larta do të jetë 6 deri në 7 përqind. Kostoja vjetore do të jetë rreth 120 milionë euro, e që bashkë me rritjen e pensioneve dhe shtesat e fëmijëve e sjellë totalin në 280 milionë euro më shumë në xhepat e qytetarëve”, deklaroi Albin Kurti.