zoom

Ekonomi

Rritja e borxhit të OSHEE, një këmbanë alarmi edhe për 2022

Një nga lajmet më të rëndësishme të vitit 2021 i publikuar ekskluzivisht nga redaksia e “Zoom.al” është rritja e borxhit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) i cili në muajin shtator 2021 theu rekordin historik duke shënuar 76 miliardë lekë ose 625 milionë euro sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë. Në raport me fundin e vitit 2020 stoku i detyrimeve ndaj OSHEE-së u rrit me rreth 1.7% ose rreth 10 milionë euro më shumë.

OSHEE-ja ngelet thelbësore jo vetëm për shërbimin me energji elektrike por edhe për kushtet socio-ekonomike të Shqipërisë pasi gropa financiare e krijuar në një kohë që çmimi i energjisë elektrike ka pësuar rritje në tregun ndërkombëtar, është një barrë që bie mbi popullin duke e varfëruar dhe duke krijuar kushte të pafavorshme për standartet  e jetesës.

Përgjegjësit kryesorë për rritjen e detyrimeve janë institucionet shtetërore të cilat po rrisin me shpejtësi detyrimet ndaj OSHEE-së, ndryshe nga konsumatorët familjarë borxhi i të cilëve erdhi në ulje.

Borxhi i enteve shtetërore arriti në 20 miliardë lekë në fund të shtatorit 2021, duke zënë 26% të totalit të detyrimeve ndaj operatorit të shpërndarjes.

Nga fundi i vitit 2020 borxhi i enteve publike ndaj OSHEE-së u zgjerua më 5 miliardë lekë ose rreth 27%. Ndërmarrjet e ujësjellësit janë debitorët më të mëdhenj.

Qeveria aktuale ka dështuar në përpjekjet e saj për të ulur detyrimet edhe pse në vitin 2014 u forcuan ligjet dhe rregulloret për pagesën e faturave të energjisë. Nëse faturat nuk paguheshin në kohë, Ministria e Financave nëpërmjet llogarive të thesarit bllokonte financimet për entet publike. Por përderisa detyrimet e enteve publike po kthehen si një ortek nga OSHEE-ja atëherë ligjet nuk janë zbatuar.

Kjo sjellje e enteve publike ndaj faturave të energjisë ka dëmtuar gjëndjen financiare të OSHEE-së e cila po mbulohet nga taksat e qytetarëve. Qeveria miratoi së fundmi një fond prej 100 milionë euro ndaj OSHEE-së në formën e garancisë sovrane për të garantuar furnizimin e rregullt me energji. Mirëpo kjo kredi do të paguhet nga qytetarët e thjeshtë nëpërmjet taksave dhe tatimeve, të cilat do të shkojnë për importin energjisë në vend që të kthehen në shërbime për komunitetet.

OSHEE sh.a ka raportuar se rritja e paparashikuar e çmimit të energjisë në Tregun e Lirë ka ndryshuar tërësisht perspektivat e zhvillimit të aktivitetit të shoqërisë duke e bërë të padobishëm çdo parashikim të mëparshëm të kësaj shoqërie. Mosplotësimi i planit të furnizimit me energji elektrike si pasojë e motit të thatë do të detyrojë OSHEE Group sh.a të plotësojë këtë mungesë me blerje në tregun e lirë, që do të ndikojë në ulje të performancës financiare dhe mungesë likuiditeti të kompanisë.

Si pasojë, nga ana e OSHEE Group parashikohet një humbje financiare prej rreth 8.9 miliard LEK për vitin 2021 dhe nëse nuk merren masa të menjëhershme edhe viti 2022 do të shënojë një humbje financiare prej rreth 7.2 miliard LEK. Me qëllim zvogëlimin e humbjeve financiare, OSHEE Group sh.a është duke programuar masa të shpejta lidhur me daljen nga kjo vështirësi në mënyrë që të arrijë një performancë pozitive financiare të sektorit për përballimin e situatave eventuale të vështira në të ardhmen pa rënduar buxhetin e shtetit. Plani i masave të reduktimit të detyrimeve të prapambetura në Sektorin e Energjisë Elektrike.

Në kuadër të reformës në sektorin e energjisë është ngritur komiteti “Program Steering Comittee” (PSC), i cili në muajin Dhjetor 2020, finalizoi me sukses planin e masave të miratuar. Ministria e Financave bëri të ditur se me urdhrin e Përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nr.304 datë 17.12.2020, për reduktimin e detyrimeve të prapambetura në sektorin e energjisë elektrike. Ky plan ofron një seri masash me qëllim parandalimin e krijimit të detyrimeve të reja të prapambetura dhe gjithashtu disiplinimin e pagesave ndërmjet kompanive të sektorit energjitik dhe palëve kryesore të lidhura me to. Plani propozon ristrukturimin e stokut të detyrimeve dhe përdorimin e instrumenteve të ndryshme favorizuese në funksion të reduktimit të këtij stoku./ Armand Kullau-Zoom.al