zoom

Aktualitet

Rriten shqetësimet për krimet kibernetike. Shqiptarët frikë nga vjedhja e të dhënave

Shqetësimi i shqiptarëve për pasigurinë në internet dhe krimet kibernetike është rritur ndjeshëm nga një vit më parë.

Sipas Barometrit të Ballkanit 2024 që anketon një grup qytetarësh nga çdo vend i rajonit, 61% e shqiptarëve janë të shqetësuar për të dhënat e tyre personale në internet. Një vit më parë treguesi ishte 51%, ndërsa vazhdon të jetë më e larta ndër popullsitë e rajonit.

59% e të anketuarve nga Shqipëria janë të shqetësuar për mirëqenien e fëmijëve të tyre gjatë përdorimit të internetit apo Inteligjencës Artificiale, kur një vit më parë ishin 45%.

Ndërkohë anketa tregon se vetëm 11% e shqiptarëve janë të shqetësuar se Inteligjenca Artificiale do t’i zëvendësojë ato në punën që bëjnë.

Një ditë më parë Policia e Shtetit njoftoi se në Shqipëri po përhapet një skemë e re mashtrimi kibernetik, që synon të dhënat private të qytetarëve. Numra të panjohur me prefiksin e Vietnamit kanë kontaktuar dhjetëra qytetarë shqiptarë me anë të aplikacionit Whatsapp, lidhur me llogarinë e tyre në Facebook.

“Mesazhet mashtruese kanë si synim orientimin e poseduesve të llogarive drejt linqeve mashtruese me qëllim marrjen në posedim të llogarive tëpersonave të mashtruar, në menyrë të padrejtë”, njoftoi Policia.