Aplikacion
Rrethanat e ngjarjes janë të paqarta, por ato ishin në favor të autorëve ende të paidentifikuar.
Ishte ora 22:00 kur snajperi qëlloi në kokë të riun Sinomataj, i cili po tymoste cigare në errësirë pasi dritat në zonë ishin të fikura dhe qyteti ishte në terr.
Nuk dihet nëse kjo ishte planifikuar nga autorët të cilët mund të kenë aksesuar sistemin energjetik apo ka qenë thjesht një rastësi. Ekzekutori u favorizua nga errësira për t’u larguar pa lënë gjurmë.
Kush e vrau Sinomatajan?
Deri më tani janë shoqëruar në polici 10 persona, të cilët janë marrë në pyetje për vrasjen por ngjarja mbetet e pazbardhur. Grupi hetimor dyshon se autori është një ish-ushtarak dhe vrasës me pagesë.
Fillimisht dyshohej se Sinomataj u vra nga pallati përballë, por më pas u konfirmua se snajperi qëlloi nga një makinë e llojit BMW X3 me targa false. Gëzim Sinomataj është qëlluar nga sedilja e pasme e makinës në një distancë prej 35-40 m ku është gjetur një bllok betoni, që ishte modifikuar në sediljen e pasme për të qëndruar qitësi.
Makina u gjet e djegur disa çaste më vonë.
Hakmarrja pista kryesore e Policisë
Të bëmat e babait të tij dyshohet se janë arsyeja e vrasjes së të riut. I ndjeri Gëzim Sinomataj ishte i biri i Sokol Sinomatajt, i cili njihet me nofkën “buzëderri” në Vlorë. Ky i fundit u arratis nga burgu i Peqinit në vitin 2017, ku kishte marrë leje dhe nuk u kthye më.
Shpallja e tij në kërkim me kartelë jeshile rezulton të jetë kryer në datë 12 shtator 2017. Menjëherë, sapo doli nga burgu, ai mori djalin e madh Bernardin dhe djalin adoleshent e u largua nga Shqipëria.
Dyshohet se ata u vendosën në Belgjikë Në vitin kur ai u arratis, Sokol Sinomataj vazhdonte të vuante dënimin per vrasjen e Elton Tatos dhe plagosjen e Robert Borakut, ngjarje që sipas vendimit të Gjykatës së Vlorës ka ndodhur në 26.06.2002.
Por ai njihet gjithashtu si “ushtar” i grupit të Gaxhait në trazirat e vitit 1997, ku sipas policisë, Sokol Sinomati dhe Armando Sulejmani (Çipuri), pavarësisht se u gjetën fajtorë nga shkalla e parë e krimeve të rënda për pjesëmarrje në bandën e armatosur të Gazmir Brakës( Gaxhai), gjykata e lartë në vendimin Nr.48, i shpalli fajtorë vetëm për vjedhje me dhunë.