zoom

Politikë

Rrëmbimi i policëve/ Borrell: Situata po përkeqësohet, javën e ardhshme takim në Bruksel për krizën

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell e quan arrestim dhe jo rrëmbim atë që ndodhi në Bare, në veri të Kosovës një ditë më parë, në vijën kufitare me Serbinë.

Ai tha para gazetarëve se ka kërkuar detaje nga autoritetet për të kuptuar si rrodhi ngjarja, ndërsa njoftoi se javën e ardhshme do të ulë në tryezë përfaqësues të Serbisë dhe Kosovës për t’i dhënë zgjidhje situatës.

“E dini që ka ndodhur një incident rreth arrestimit të tre oficerëve policorë të Kosovës dhe ne jemi duke provuar ta vërtetojmë se çka saktësisht ka ndodhur. Jemi në kontakt të ngushtë me komandantin e KFOR-it dhe me të dyja palët për të marrë vesh se çka çoi në këtë arrestim. Duke parë situatën që po përkeqësohet çdo ditë, ne jemi në një gjendje të menaxhimit të krizave. Do t’i ftoj të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhim krize këtu në Bruksel javën e ardhshme”, deklaroi Borrell.

Një ditë më parë, Policia e Kosovës akuzoi forcat serbe se rrëmbyen tre oficerë, teksa ata ndodheshin ende brenda territorit të Kosovës.

Por pala serbe mohon që të bëhet fjalë për rrëmbim, por për arrestim, që erdhi, sipas saj, sepse policët kishin kaluar vijën kufitare dhe ishin futur në territorin e Serbisë të armatosur.