zoom

Aktualitet

Rrëmbehet dhe mbahet peng për grabitje 19-vjeçari, “Telefonata” prangos 2 autorët (EMRAT)

Një adoleshent u rrëmbye dhe mbajt peng me qëllim gjobitjen dhe përfitimin në Mirditë.

Teksa një telefonatë zbuloi aktivitetin kriminal dhe goditi grupin e të dyshuarve, 19-vjeçari rrëfeu se ishte mbajtur me forcë në një garazh pallati dhe i kërkuan paratë.

Policia vendore njoftoi se realizoi operacionin e koduar “Telefonata”, duke parandaluar ngjarjen e rëndë kriminale. Dy persona ranë në pranga si të dyshuar.

U sekuestruan shuma 220 000 lekë që të arrestuarit synonin t’i vidhnin 19-vjeçarit, automjeti i përdorur nga ata dhe 2 celularë.

“Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi 19 vjeç, se ishte marrë me forcë në automjet, nga 2 shtetas të tjerë, të cilët për t’i marrë paratë, e kishin mbajtur për disa minuta, kundër vullnetit të tij, në garazhin e mbyllur të një pallati në Rrëshen, dhe më pas e kishin lënë në rrugë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë organizuan punën për të identifikuar dhe arrestuar përgjegjësit.

Si rezultat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Telefonata”, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e menjëhershëm të autorëve të dyshuar të rastit, shtetasve Mateos Brozi, 20 vjeç, banues në Rrëshen dhe Ergys Tusha 19 vjeç, banues në Durrës”, njoftoi policia vendore.

Gjithashtu, u bë e mundur gjetja e shumës së parave të vjedhura me dhunë, 220 000 lekë, e cila u sekuestrua bashkë me automjetin tip “Audi A4”, me të cilin u mor me forcë 19-vjeçari, dhe me 2 celularët e të arrestuarve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “heqja e paligjshme e lirisë” dhe “vjedhja me dhunë”, të kryera në bashkëpunim. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura