zoom

Slider

Rrëfehet Pioli, nga merkato te Milani i ri: Kapiten është Calabria, lider dikush tjetër

Milan e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme Serie A duke fituar në transfertë ndaj Bolognas me shifrat 0-2.

Loja e kuqezinjve ishte argëtuese, sidomos në fraksionin e parë aty ku u shënuan edhe dy golat e ndeshjes me autor Olivier Giroud dhe Christian Pulisic.

Blerjet e verës treguan se ishin në lartësinë e duhur ndërkohë që pas sfidës, trajneri Stefano Pioli i bëri elozhe të tijve.

Tekniku i Milanit theksoi se Leao është një futbollist me fuqi të jashtëzakonshme ndërsa shtoi se Mike Maignan është një lider ashtu si ka qenë më parë Zlatan Ibrahimovic.

Paraqitja – “Pashë disa gjëra të bukura në ndeshje, duhet të punojmë pak me ekuilibrin në fushë, por të rinjtë janë integruar shumë mirë. Jam i lumtur me merkaton që kanë bërë drejtuesit dhe kam bindjen se po formohet një grup shumë i bukur”.

Merkato – “Të rinjtë po japin maksimumin për t’u integruar dhe për t’u mësuar me futbollin e ri që praktikojnë këtu te Milan. E di që do të na ndihmojnë shumë dhe do të jenë mjaft të rëndësishëm përgjatë sezonit. Pulisic është një “xhol”, por unë e shoh më shumë në të djathtë se sa në të majtë”.

Giroud – “Ai është një lider, shembull për të gjithë dhe është gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar skuadrën. Nuk është më edhe aq i ri, por unë jam shumë krenar që jam trajneri i tij”.


Rafa – “Me Leaon flas çdo ditë, mundohem ta bëj të kuptoj se është një futbollist me fuqi të jashtëzakonshme dhe që cilësitë e tij duhet t’i vendosë në funksion të skuadrës. Me topin në zotërim kemi shumë kualitet, tani duhet të mësojmë të lëvizim edhe kur nuk e kemi topin në kontroll”.

Lideri i ri – “Ibra na mungon, por ai i ka rritur të gjithë këta futbollistë sa i takon mentalitetit. Ai që i afrohet më shumë Ibrës në aspektin e liderit është Maignan. Ka shumë karakter”, tha Pioli. /zoom.al/