zoom

Ekonomi

Rivlerësimi/ Ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme: Qeveria po e shtyn qëllimisht për fushatë

Lajmi se qeveria ka shtyrë rivlerësimin e pronave ka shqetësuar të gjithë tregun imobiliar, që siç e quan Shoqata e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme, NAREA, është “paralizuar”.

NAREA, në një deklaratë për mediat shprehet se tregu imobiliar është pranë një kolapsi pasi shitjet janë pezulluar, duke krijuar një efekt domino për industrinë dhe buxhetin e shtetit.

Nga janari në shtator, thekson NAREA, janë arkëtuar më pak se 2% e të ardhurave nga Tatimi mbi Fitimin Kapital, duke sjellë një gropë prej 56 milionë euro.

“Një ngërç i tillë, pasojë e funksionimit të një tregu nën paqartësinë dhe mungesën e vendimmarrjes për fillimin e procesit të Rivlerësimit brenda muajit Shtator 2024, ka dhënë efektet e tij duke filluar me mungesën e transaksioneve, në procedurat pezull pranë zyrave Noteriale, në mungesën e performancës së sektorit financiar si dhe në mungesën e arkëtimit të ardhurave në arkën e shtetit.”

Për Shoqatën, shqetësim është edhe mungesa e një qëndrimi zyrtar nga ministria e Financave, pas propozimit të deputetes Gjylameti. Shoqata shpreh dyshimet për një fushatë rivlerësimi gjatë vitit zgjedhor.

“Rënia e besimit të konsumatorit, kolapsimi i tregut të rishitjes ka efekte të sigurta domino mbi sektorin financiar, mbi sektorin e ndërtimin, atë të turizmit dhe mbi gjithë ekonominë. Mungesa e një angazhimi me afate transparente nga ana e Ministrisë së Financave, prania e një vullneti politik por të pa realizuar si një operacion i gjerë tregtar brenda Shtator 2024, përqasja kaotike, jo e drejtë në kohë dhe metodologji ndaj elementeve të lidhura me Rivlerësimin, siç janë çmimet e referencës, vetëm sa shtojnë agoninë e strehimit të familjeve të mesme në Shqipëri. Themi këtë, sepse historikisht kjo shtresë e shoqërisë shqiptare është shërbyer nga tregu i rishitjes, me alternativa shumë me tepër ekonomike se një ndërtimi i ri, një treg i fuqizuar nga profesionistët e Real Estate, një treg i cili sot është i paralizuar 100%. Vendosja në vështirësi të tejskajshme i këtij sektori, ka jo vetëm efekte ekonomike, jo vetëm efekte të një strehimi të papërballueshëm, por vendos në kushte të pamundësisë së operimit të gardianëve të parë në pacenueshmërinë e sistemit financiar, për gjithë zinxhirin e transaksioneve me pasuritë e paluajtshme”, përfundon Shoqata.