Aplikacion
Zëdhënësja e PD për Antikorrupsionin, Genta Vangjeli renditi dokumentet e skandalit të qeverisë, duke denoncuar rastin e dhënies së ish-Ndërmarrjes Gjeofizike Patos me 1 euro, tek vëllai emigrant në Itali, i kryebashkiakut të Fierit, Eltjon Subashi.
PD kërkon edhe hetimin e rastit në fjalë nga ana e SPAK-ut, pasi ka abuzime ligjore.
Deklarata e Vangjelit:
“Të dashur qytetarë:
Për të kuptuar se kush janë ata që mbushin sallat në Athinë apo Milano dhe duartrokasin sikur Edi Rama të ishte Ed Sheeran do t’ju japim sot një shembull me zë dhe figurë. Edi Rama nuk i bie kitarës por ‘i bie stilolapsit’ me të cilin firmos ‘fap e fap’ VKM për njerëzit e pushtetit, të cilët mbushin më pas, bashkë me punonjësit e tyre, sallat e koncerteve të partisë.
Kështu me anë të VENDIMIT Nr. 636 të 1 tetorit 2014 të Këshillit të Ministrave, Edi Rama firmosi miratimin për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën simbolike 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë ‘Tur-Tekstil’ sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë ‘Ish-Ndërmarrja Gjeofizike, Patos’, me sipërfaqe të përgjithshme 12 507 m².
Po cilët janë pronarët e këtij subjekti…
Sipas të dhënave të marra nga Regjistri i Qendrës kombëtare të Biznesit, pronar rezulton Eltjon Subashi, vëllai i Kryebashkiakut të Fierit Armando Subashi. Publikut, që më të drejtë nuk e njeh të vëllanë e kryebashkiakut, po ia kujtojmë më këtë video të shkurtër gjatë koncertit tallava të Edi Ramës në Milano para pak ditësh (ku ai thotë se është emigrant në Itali prej një viti).
Zyra e Punës Fier është kujdesur që të paguajë edhe subvencione për kompaninë e vëllait të kryetarit Subashi. Sipas të dhënave të siguruara nga Spending Data Albania subjekti i kontratës 1 euro përfitoi prej Qershor 2015 deri Tetor 2017, 121 milion lekë prej Zyrës së Punës Fier.
Kështu e mbështeti qeveria Rama edhe vëllain e kryebashkiakut të Fierit Armando Subashit, i cili, afërmendsh pas këtij nderi prej milionash nuk mund të mungonte në koncertin e bosit në Milano”. /ZOOM.AL/