zoom

Lajme

Rithemelimi kërkon qeveri teknike: E vetmja që do sigurojë kushtet për proces zgjedhor të pranuar

Anëtari i kryesisë së PD së Rithemelimit, Eno Bozdo, në një konferencë për shtyp ka deklaruar se pensioni mesatar në Shqipëri është më i ulëti në Evropë dhe vendi ndodhet në krizë ekonomike.

Ai shtoi se asgjë nuk do të ndryshojë sa kohë që në pushtet është kjo mazhorancë qeverisëse.

Bozdo tha se vetëm një qeveri teknike mund të sigurojë kushtet për një proces zgjedhor të pranueshëm.

Deklarata e Bozdos:

“Shqipëria thyen edhe një rekord tjetër të zi, nën kujdesin e kuratorit të të gjitha të zezave, Edi Ramës. Pensioni mesatar në Shqipëri është më i ulti në Evropë. Sipas Eurostat, pensioni mesatar në Shqipëri është 131 euro në muaj, duke i renditur gjyshërit, nënat dhe etërit tanë në listën e mjerimit europian. Bullgaria, në vendin e parafundit, ka një pension mesatar 226 euro në muaj, apo 58% më të lartë se Shqipëria. Mesatarja e vendeve të BE është 1294 euro në muaj, apo afro 10 herë më e lartë se pensioni në Shqipëri.

Kjo është e vërteta tronditëse me fakte e shifra, jo me logje krenariste të narkoqeverisë. Ky është niveli i mjerimit ku jetojnë më shumë se 650 mijë pensionistë shqiptarë të cilët mbajnë frymën me paratë që u dërgojnë bijtë dhe bijat, që ua përzë Edi Rama.

Tej deklaratave qeveritare për reformën e pensioneve, tej propagandës bajate për rritje ekonomike, për 10 milionë turistë në Shqipërinë fanar-ndricuese, faktet që Eurostat publikon tregojnë se, varfëria është ulur këmbëkryq në Shqipëri. Me këtë ritëm, do të na duhen dekada për të arritur minimumin e standardit evropian për pagat dhe pensionet.

Asgjë nuk ka për të ndryshuar për mirë sa kohë Edi Rama qeveris Shqipërinë. Sipas INSTAT, rreth 44% e shqiptarëve jetojnë në varfëri. Sipas Eurostat rreth 75% e shqiptarëve që janë në moshë pune rrezikojnë varfërinë. (https://citizens.al/2022/08/08/eurostat-rreth-70-e-popullsise-ne-shqiperi-e-rrezikuar-nga-varferia/)

Lulëzon vetëm ndërtimi, nën kujdesin e veçantë të Edi Ramës, që e ka kthyer këtë sektor në lavatriçe të parave të krimit të organizuar vendas dhe të huaj. Shqiptarët nuk mund të rrinë indiferent kur kryeministri tregohet me gisht nga bashkëpunëtori më i ngushtë, si kumbar i mafias dhe zhbërës i zgjedhjeve të lira. Kur mediat e huaja e cilësojnë pushtetin e tij si narkoshtet.

Kur shqiptarët renditet të tretët në botë si azilkërkues. Vendi i tyre nuk është në luftë si Siria dhe Afganistani, por qeverisja është një talebanizëm i veshur me Brioni dhe lustruar me reklama të paguara në mediat e vendit dhe të huaja. Edi Rama po e dërrmon vendin, dhe kur ai kërkon ta dërrmojë kundërshtarin me votë, nuk ka ndërmend zgjedhje të lira por vjedhje të tyre.

Partia Demokratike është në ballë të kesaj beteje me të keqen. Vetëm një qeveri teknike do të sigurojë kushtet për një proces zgjedhor të pranueshëm. Gjyshërit e fëmijëve tanë meritojnë një Shqipëri që nuk i trajton si robër lufte”. /ZOOM.AL/