zoom

Politikë

Rezoluta kundër raportit të Dick Marty në KiE, Rama publikon dokumentin

Kryeministri Edi Rama ka publikuar dokumentin që Shqipëria i ka dërguar Këshillit të Evropës për rezolutën kundër raportit të Dick Marty dhe thotë se nuk mund të gëzojë rezolutën mbështetëse, ndaj kërkon drejtësi për këtë cështje.

Shqipëria i kërkoi zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës! Në dritën e zhvillimeve të kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse edhe falë angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë, raporti famëkeq i Dick Marty-t nuk mund të gëzojë më rezolutën mbështetëse në fuqi.

Kuvendi i Shqipërisë ka përcjellë zyrtarisht në Këshillin e Evropës, rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik 2022.

Rezoluta u është dërguar:

1. Vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës;

2. Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës;

3. Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës;

4. Presidentit dhe zv/presidentëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës;

5. Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës;

6. Komitetit për Çështjet Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës;

7. Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Shqipëria i kërkon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (folloë up report) dhe si rrjedhojë një rishikim thelbësor të Rezolutës 1782 (2011).

Shqipëria riafirmon vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë e për të mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën dhe e konsideron këtë nisëm shprehje kuptimplotë të këtij vullneti.