zoom

Aktualitet

Revoltë e zjarr gomash, mbyllet pas një ore protesta te Bashkia. Këlliçi akuzon Dumanin: Mburojë…

Ka zgjatur më pak se 1 orë protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës. Protesta e 15-të e thirrur para Bashkisë kishte të njëjtën kërkesë, dorëheqjen e Erion Veliaj nga posti i kryebashkiakut.

madje sot ish-deputeti i PD, Kleves Balliu, kërkoi publikisht arrestimin e tij nga SPAK.

Në protestë nuk kanë munguar incidentet e vogla, përfshi edhe djegien e disa gomave, dhe hedhjen e objekteve drejt godinës së Bashkisë së Tiranës. Por kanë munguar përplasjet e forta mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Policia ka ndërhyrë për të fikur flakët që iu vendosën gomave, ndërsa kanë vijuar akuzat në drejtim të Kryebashkiakut Veliaj dhe SPAK.

Protesta e zhvilluar sot dukej si një vijim i ritualit të protestave të mëparshme, ndërkohë që nga mesazhet e dhëna dukej më shumë si një protestë që synonte ti bëhej thirrje qytetarëve për të marrë pjesë në protestën kombëtare të 11 korrikut. Ashtu si edhe në protestat e tjera, mbështetës të opozitës, i kanë vënë zjarrin disa gomave që ishin vendosur në sheshin para Bashkisë.

Me një skenar të njëjtë, një i ri fillimisht ka hedhur benzinë mbi gomat dhe më pas i është vënë flaka. Policia paralelisht nisi edhe hetimet.

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi tha se Altin Dumani dhe SPAK në vend që të arrestonin Erion Veliajn si kryetarin e grupit të strukturuar kriminal, janë kthyer në mburojën e tyre. Duke folur në protestë, Këlliçi u shpreh se SPAK dhe Dumani mbrojnë nga mëngjesi në darkë Erion Veliajn, mbrojnë drejtorët e tij, ndërsa Sali Berisha në ditën e 185 qëndron në arrest shtëpie, pa akuzë, pa prova, pa fakte.

Këlliçi theksoi se kemi parë nga mediat vendimin e Apelit të GJKKO-së lidhur me “5D” por çfarë bëri Altin Dumani dhe SPAK. “Apeli i GJKKO kërkon thellimin e hetimeve, kërkon që të zbardhë të gjitha lidhjet për aferën 5D. Po çfarë bëri SPAK dhe Altin Dumani? Arrestuan në mënyrë të turpshme Ilir Beqajn, hajdutin 2 metrosh, jo për miliona euro që ka vjedhur me koncensionet në shëndetësi, por për faturat e drekave dhe darkave me fondet e BE-së. Pra amnisuan hajdutin 2 metrosh nga vjedhja e madhe që u ka bërë parave të shqiptarëve”, tha Këlliçi.

Në vijim të akuzave ndaj SPAK dhe Dumanit, Këlliçi theksoi se “nga media mësuam mbi masat e sigurisë që ishin vendosur ndaj Erjon Veliajt dhe të tjerë emrave në Bashkinë e Tiranës, por çfarë ndodhi? i mohuan, thanë s’ka masa sigurie, sepse këta janë kthyer në mbrojtësit e hajdutit të Bashkisë së Tiranës”.

Këlliçi tha “çfarë duhet të ndodhë më me këtë kryetar Bashkie që ai të dorëhiqet? Një pjesë janë në burg, një pjesë janë dorëhequr, një pjesë shumë shpejt do të shkojnë në qeli. Çfarë duhet të ndodhë më në këtë vend që Edi Rama të dorëhiqet, kur ca i ka në burg, ca i ka në arrati dhe të tjerë janë kandidatë për në burg? Ndaj ftoj qytetarët, edhe ata që janë skeptikë, që të bashkohen në protestën e 11 korrikut”, “Ju ftoj që në 11 korrik të mbushim sheshin para Kryeministrisë si kurrë më parë, aty fillon rikthimi i shpresës së shqiptarëve”, tha Këlliçi. /ZOOM.AL/