zoom

Ekonomi

Renditja e FMN: Shqipëria dhe Kosova, dy vendet më të varfra në Europë

Shqipëria dhe Kosova janë renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shtetet më të varfra të Europës në vitin 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi.

PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse (PPP), është produkti i brendshëm bruto i konvertuar në dollarë ndërkombëtarë duke përdorur normat e barazisë së fuqisë blerëse.

Një dollar ndërkombëtar ka të njëjtën fuqi blerëse mbi PBB-në si dollari amerikan në Shtetet e Bashkuara.

Sipas të dhënave të përditësuara të FMN-së në Pasqyrën Ekonomike Globale 2023, dhe të përpunuara nga “Monitor”, Shqipëria renditet e parafundit në Europë me të ardhurat për frymë prej 19 mijë dollarë ndërkombëtar.

Pas Shqipërisë renditet Kosova, që e ka këtë tregues akoma dhe më të ulët, në 15.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.

Bosnjë Hercegovina ka të ardhura për frymë pak më të larta se Shqipëria, në 19.6 mijë dollarë ndërkombëtarë, Maqedonia e Veriut 21.1 mijë, Serbia me 25.4 dhe në krye të rajonit vijon të qëndrojë Mali i Zi, me 27.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.

Mesatarja e Europës është gati 50 mijë, ndërkohë që Shqipëria i ka të ardhurat për frymë të matura sipas fuqisë blerëse gati sa gjysma e Europës Lindore.

Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar shtrihen deri në vitin 2028, ku sërish si Shqipëria ashtu dhe Kosova vlerësohet se do të vijojnë të mbeten më të varfrat e Europës.

Edhe në treguesin tjetër direkt, atë të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, që për Shqipërinë ka arritur në 7 mijë dollarë, sërish vlerësohemi nga FMN të fundit për vitin 2023, së bashku me Kosovën, që është në nivelin e 5,600 dollarëve, – raporton Monitor.

Por ka një problem me këto renditje. Ato bazohen te shifrat zyrtare të raportuara. Duhet patur parasysh që shumë para në Shqipëri qarkullojnë jashtë sistemit bankar, të paraportuara. Gjithashtu, rrogat e deklaruara në shumë sektorë nuk janë ato realet. Fluksi i parave informale nga aktivitete jo të ligjshme, nuk është i përfshirë. Pra, shifrat e vërteta të të ardhurave, janë ndryshe nga ato zyrtare. Më shumë se nivelin ekonomik, këto shifra reflektojnë mosfunksionimin total të shtetit.