zoom

Aktualitet

Reagon në TikTok portugezi: S’kam lidhje me vrasjen e Nikulajt! Fake News

Ruben Saraiva, portugezi që akuzohet se ka ekzekutuar biznesmenin dhe eksponentin politik në Shëngjin, Ardian Nikulaj, është kthyer në kryefjalën e mediave shqiptare.

Dy ditët e fundit në të gjitha mediat u raportuan për detaje që lidhen me portugezi, përfshirë këtu edhe fotot e tij, të publikuara gjithashtu në rrjetet sociale me të njëjtin emër.

Por, së fundmi, në TikTok po qarkullojnë statuse të personit që shihej, teksa postonte nga Greqia dhe Portugalia. Ai ka ripostuar video nga udhëtimet me motor dhe mbi to u bën apel mediave shqiptare që të fshijnë fotot e tij, duke pretenduar kështu se nuk është i njëjti Ruben Saraiva që akuzohet për vrasjen e Nikulajt.

“U bëj thirrje mediave shqiptare të mos njollosin emrin tim. Ju lutem, çfarë po beni, nuk e di çfarë po thurni atje. Përshëndetje nga Greqi, unë nuk jam një kriminel. Ky është një fake news, nuk kam lidhje me ngjarjen e ndodhur në Shqipëri. Lajme të rreme, fotot e mia po kepërdoren nga mediat shqiptare,”- shkruhet në postimet e tij.

 

Ndërkohë edhe policia po hesht pasi nuk e ka të qartë imazhin e vrasësit të Nikutajt dhe deri tani nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar për të sqaruar të vërtetën e fotove që po qarkullojnë me mediat shqiptare.

Policia e Shtetit pretendon se ka pamje me video, të shtetasit portugez, në një makinë me porositësin e dyshuar të vrasjes, Edmond Haxhia, në një mjet tip golf.

Siç shihet dhe nga videot në profilin në tiktak të portugezit, ai është një person shumë i dhënë pas motorave, mjet më të cilin u krye dhe vrasja e Nikulajt në Lezhë.

Motori që u përdor në krim, u gjet dje nga Policia, i fshehur pranë banesës së Haxhisë.

Vrasja e biznesmenit lezhjan dyshohet se është kryer për hakmarrje, pas përplasjeve të vazhdueshme të familjes së tij me fisin Lekstakaj. Këta të fundit janë shpërngulur nga banesat e tyre në zonën e Lezhës, dhe jetojnë prej vitesh në shtetin anglez.

Haxhia është nip në familjen Lekstakaj, dhe ai dyshohet se ka organizuar vrasjen për disa muaj me radhë, pasi kishte mbërritur në Shqipëri Nëntorin e vitit të kaluat, për t’u larguar më pas ditën e vrasjes së Nikulajt.

Një tjetër detaj që bie në sy është edhe fakti që ka vetëm postime me shkrim dhe asnjë me video ku të riut nga Portugalia të mund t’i dëgjohet zëri apo të bëjë një sqarim më të plotë lidhur me përfshirjen ose jo të tij në këtë ngjarje.

A është profili i tij? A janë i njëjti person dhe postimet e bëra janë për të fshehur përfshirjen në krimin që tronditi Shëngjinin prag zgjedhjeve?