zoom

Aktualitet

Raporti i UNESCO-s për Butrintin, qeveria përplaset me studiuesit

Ministri i Ekonomisë dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, ka reaguar pas publikimit të raportit të UNCESCO-s mbi parkun kombëtar të Butrintit. Ai e ka vënë theksin te fakti se do të ketë në vëmendje maksimale mirëadministrimin e procesit të ndryshimit të modelit të menaxhimit të kësaj pasurie.

UNESCO rekomandon që Ministria e Kulturës të ketë autoritet mbi këtë pasuri botërore, vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet për menaxhimin e integruar të këtij parku.

“Në cilësinë e Ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si Kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (për shkak të funksionit), siguroj opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për mirëadministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi.

Unë dhe ekipi vlerësojmë gjithashtu rolin e AADF në bashkëpunimin e shkëlqyer për arritjen e parakushteve optimale në mbështetjen e BMF për investimin e çmuar në përthithjen e ekspertizës më të mirë bashkëkohore, teknike e profesionale, të denjë për rëndësinë e pasurisë botërore në fjalë, dhe të domosdoshme për suksesin e kësaj ndërmarrjeje të jashtëzakonshme ku shteti shqiptar është lider, në të mirën e interesit publik dhe ku kryefjala do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja!”, – thotë ministri Gonxhja në reagimin e tij.

Për çështjen në fjalë ka reaguar më pas studiuesi Auron Tare, duke iu kundërvënë ministrit Gonxhja. Me një postim në rrjetet sociale ai ngre disa pikëpyetje që kanë të bëjnë me raportin e UNESCO-s dhe nëse do të ndërmerren masa për ata që e fshehën raportin.

“I nderuar z.Ministër, e para keni detyrimin ligjor dhe moral për të sqaruar opinionin publik për raportin e Unesco/Icomos. Çfarë përmban dhe përse u fsheh nga Institucioni i Trashëgimisë Kombëtare. Çfarë masash do merren për ata që fshehen këtë raport?

E dyta, z.Ministër, cila është ekspertiza më e mirë botërore që AADF paska thithur? Kur Unesco/Icomos të ka hedhur poshtë cilësinë e përthithur. E treta, mblidh ekspertët shqiptarë për të folur me ta dhe për të dëgjuar procesin ashtu si dikur, kur ishe në Ministrinë e Kulturës.

E katërta, hidh poshtë marrëveshjen me AADF për transferimin e Butrintit si një marrëveshje poshtëruese për punën e të gjithë atyre që kanë kontribuuar në Butrint, por edhe si një e drejte sovrane e një vendi, i cili nuk e jep apo shet pasurinë e tij kulturore për grupe me interesa të dyshimta. Ti e di mirë që Parku nuk u krijua nga Londra, por nga shqiptarët që e donin këtë vend, ku një nder ta ishe edhe ti”, – shkruan Tare.