zoom

Politikë

Rama sulmon në podcast historianin Ash pse i kritikoi Blair: Mos ma prek Tony-n…!

Kryeministri Edi Rama ka realizuar një intervistë në podcastin tij “Flasim” me historianin, autorin dhe gazetarin e famshëm britanik, Timothy Garton Ash.  Një ndër temat e diskutimit në këtë podcast ka qenë “Brexit”, dalja e Britanisë nga Bashkimit Europian. Historiani britanik është shprehur se ‘Brexit’ ishte ‘distafa më e madhe politike e jetës së tij’. “Për mua, Brexit-i ishte disfata më e madhe politike e jetës sime. E gjithë jeta ime është sjellë rreth Europës, unë jam një europian anglez, kështu që shkëputja e Britanisë nga Europa është tragjedi për Britaninë, por mendoj edhe për Bashkimin Europian dhe të ardhmen e Europës. Megjithatë, nuk mendoj se Brexit-i e ka prerë atë lisin e britanizmit që përshkruat. Mendoj që vazhdon të jetë aty”, u shpreh Timothy Garton Ash.

Por gjatë bashkëbisedimit historian britanik  ka kritikuar qeverisjen e Tony Blair, që sipas tij ishte ndër shkaqet që ndodhi më pas dalja e Britanisë nga BE-ja. “Mendoj që një nga gabimet që bëri Toni Blair, të cilin e admiroj për shumë gjëra – e tija ishte një periudhë e mrekullueshme  e historisë britanike – gabimi që bëri ishte të besonte se ishte e mundur që të kishte vetëm hapje, hapje, hapje; hapje të shoqërisë, hapje të financave, hapje të ekonomisë, hapje të emigracionit pa pasur asnjë reagim! Sepse në fakt pati një reagim. Dhe slogani i përkrahësve të Brexit-it, që iu dha fitoren – meqë ra fjala, vetëm 52 për qind me 48 për qind, mos harro, nuk ishte aspak e pashmangshme – ishte “Rimerr kontrollin”. Ajo çfarë ndodh tani në Gjermani është që udhëheqësit gjermanë po flasin për “kontrolverlust” (humbjen e kontrollit). Pra, mendoj se të gjitha shoqëritë tona kanë nevojë për atë ndjesinë që gjërat janë nën kontroll, që imigracioni po menaxhohet. Pra, mendoj se ky ishte një gabim i viteve të Blair-it, që e paguam shtrenjtë. Por fakti që tani po përpiqemi ta vëmë nën kontroll, si të gjitha vendet e tjera europiane, nuk do të thotë se është fundi i larmisë sonë kulturore, është përtej saj”, tha historiani.

Por kryeministri Rama ka thënë se nuk duhet të fliste për Blair në praninë e tij. “Mos e prek Tony Blair-in në praninë time”. Thjesht, mos e prek”, u shpreh Kryeministri.

Më tej Timothy Garton Ash është shprehur se ai e kishte mik Tony Blair. “”Shiko, unë e kam mik Tony Blair-in. Ai është i rritur mjaftueshëm, për të pranuar gabimet e tij”, u shpreh historiani. Por Rama e ka ritheksuar se nuk donte të flitej për Tony Blair në praninë e tij. “Jo, nuk po flas në emër të tij. Ai mund të flasë vetë për veten e të merret me gabimet e tij. Por unë jam një fanatik i tij, kështu që mos e prek Tony Blair-in. Jo për të bërë avokatin e tij, por, më fal, sa vite ka Tony Blair që është larguar nga detyra, sa vite?

Nuk mendoj se është shumë korrekte, që  ajo që ndodhi me Brexit-in t’i lihet Tony Blair-it si një gabim tjetër, sepse, ndoshta, asokohe – nuk e di – por, ndoshta, në atë kohë, hapje, hapje, hapje ishte rruga e duhur dhe, mbase, mbyllje, mbyllje, mbyllje është më shumë një reagim nxitimthi, kur sheh që po humbet kontroll, në vend të disa gjërave që mund të ishin bërë më parë… dhe, pastaj, fajin e kishte Tony Blair!

Problemi në Britani me Tony-n sa herë që thotë diçka, është njerëzit nuk e dëgjojnë, por i thonë “ti e ke fajin për Irakun, kështu që mos fol, ti je kriminel”. Megjithatë, shumë kohë më parë, ai e ka thënë dhe e ka propozuar një mënyrë për të kontrolluar (imigracionin). Ai ka qenë një prej atyre njerëzve që ka paraqitur propozime për kontrollin. Mund të isha shumë mirë biografi i tij, por jo si ju, nga brenda, por nga jashtë”, është shprehur Rama.

Zbardhja e debatit mes Edi Ramës dhe Timothy Garton Ash

Kryeministri Edi Rama:   Një tjetër aspekt i kësaj është sërish një dëshmi ndryshe e juaja – ju jeni i njëjti person – por, dikur, jo shumë kohë më parë,  ju gjetët një mënyrë të bukur për të shpjeguar se çfarë ishte britanizmi dhe u shprehët që ishte si një paradoks:  Perandoria e mëparshme është kthyer në identitetin post-perandorak të një shoqërie gjithpërfshirëse, civile dhe shumë liberale. Kështu ishte atëherë, po tani çfarë është britanizmi, se nuk mendoj që vazhdon të jetë njësoj?

Timothy Garton Ash:  Me shumë respekt, nuk bie dakord.

Kryeministri Edi Rama:   Më thoni, pse? Dua lajme të mira.

Timothy Garton Ash:   Ja cili është lajmi i mirë. Më gjej një vend tjetër europian që ka një kryeministër hindu, një ministër të Jashtëm me ngjyrë dhe një kryetar bashkie mysliman si të Londrës. Ky është një kapacitet fantastik për të përqafuar, jo vetëm skocezët, anglezët, uellsianët dhe irlandezët, por edhe njerëz nga mbarë bota.

Kryeministri Edi Rama:   Jam dakord, por – ka një “por” këtu – kjo që përshkruat është produkti i asaj që kishit shpjeguar në atë kohë. Atëherë, ju e zbuluat këtë britanizëm dhe thatë: “Ky është britanizmi”. Le të themi që farat dhe e gjithë klima ekzistuese atëherë bënë të mundur që kjo pemë të lulëzonte dhe këta emra janë frytet e saj. Megjithatë, a mendoni se Britania e sotme do të ishte e aftë të vazhdonte pas 10 apo 20 vjetësh të prodhonte të njëjtat fryte, me ato që po shohim, me retorikën kundër emigracionit, mbështetjen shumë të fortë të ideve dhe koncepteve që, në kohën kur ju përshkruanit britanizmin, do të ishin dukur ca këndvështrime periferike, që kurrë nuk do të mund të fitonin zgjedhje.

Timothy Garton Ash:  Nuk mendoj kështu. Për mua, Brexit-i ishte disfata më e madhe politike e jetës sime. E gjithë jeta ime është sjellë rreth Europës, unë jam një europian anglez, kështu që shkëputja e Britanisë nga Europa është tragjedi për Britaninë, por mendoj edhe për Bashkimin Europian dhe të ardhmen e Europës. Megjithatë, nuk mendoj se Brexit-i e ka prerë atë lisin e britanizmit që përshkruat. Mendoj që vazhdon të jetë aty.

Kryeministri Edi Rama:  Ka ende shpresë

Timothy Garton Ash:  Po dhe, meqë ra fjala, duke qenë se, më herët, folëm të dy pak rreth migracionit, mendoj që një nga gabimet që bëri Toni Blair, të cilin e admiroj për shumë gjëra – e tija ishte një periudhë e mrekullueshme  e historisë britanike – gabimi që bëri ishte të besonte se ishte e mundur që të kishte vetëm hapje, hapje, hapje; hapje të shoqërisë, hapje të financave, hapje të ekonomisë, hapje të emigracionit pa pasur asnjë reagim! Sepse në fakt pati një reagim. Dhe slogani i përkrahësve të Brexit-it, që iu dha fitoren – meqë ra fjala, vetëm 52 për qind me 48 për qind, mos harro, nuk ishte aspak e pashmangshme – ishte “Rimerr kontrollin”. Ajo çfarë ndodh tani në Gjermani është që udhëheqësit gjermanë po flasin për “kontrolverlust” (humbjen e kontrollit). Pra, mendoj se të gjitha shoqëritë tona kanë nevojë për atë ndjesinë që gjërat janë nën kontroll, që imigracioni po menaxhohet. Pra, mendoj se ky ishte një gabim i viteve të Blair-it, që e paguam shtrenjtë. Por fakti që tani po përpiqemi ta vëmë nën kontroll, si të gjitha vendet e tjera europiane, nuk do të thotë se është fundi i larmisë sonë kulturore, është përtej saj.

Kryeministri Edi Rama:   Dëgjoni, së pari, më duhet t’ju informoj që jam shumë i hapur, por mbetem fanatik për disa gjëra dhe një prej tyre është: “Mos e prek Tony Blair-in në praninë time”. Thjesht, mos e prek.

Timothy Garton Ash: Shiko, unë e kam mik Tony Blair-in. Ai është i rritur mjaftueshëm, për të pranuar gabimet e tij.

Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk po flas në emër të tij. Ai mund të flasë vetë për veten e të merret me gabimet e tij. Por unë jam një fanatik i tij, kështu që mos e prek Tony Blair-in. Jo për të bërë avokatin e tij, por, më fal, sa vite ka Tony Blair që është larguar nga detyra, sa vite? Nuk mendoj se është shumë korrekte, që  ajo që ndodhi me Brexit-in t’i lihet Tony Blair-it si një gabim tjetër, sepse, ndoshta, asokohe – nuk e di – por, ndoshta, në atë kohë, hapje, hapje, hapje ishte rruga e duhur dhe, mbase, mbyllje, mbyllje, mbyllje është më shumë një reagim nxitimthi, kur sheh që po humbet kontroll, në vend të disa gjërave që mund të ishin bërë më parë… dhe, pastaj, fajin e kishte Tony Blair! Problemi në Britani me Tony-n sa herë që thotë diçka, është njerëzit nuk e dëgjojnë, por i thonë “ti e ke fajin për Irakun, kështu që mos fol, ti je kriminel”. Megjithatë, shumë kohë më parë, ai e ka thënë dhe e ka propozuar një mënyrë për të kontrolluar (imigracionin). Ai ka qenë një prej atyre njerëzve që ka paraqitur propozime për kontrollin. Mund të isha shumë mirë biografi i tij, por jo si ju, nga brenda, por nga jashtë.

Timothy Garton Ash:  Unë kam folur me Tony-n për këtë libër. Shkova dhe do e shihni në libër, fola me të rreth kësaj dhe besoj që ai do të ishte dakord. Britania ishte e vetmja anëtare e BE-së, që, me zgjerimin e madh në vitin 2004 dhe prapë në vitin 2007, me Bullgarinë dhe Rumaninë, tha “nuk ka kufi, çdokush mund të hyjë” dhe pastaj ata miliona europianolindorë që erdhën në Britani – që për mua është shumë mirë, se mund të flas polonisht…

Kryeministri Edi Rama:  Jo, jo, miliona europianët që erdhën në Britani erdhën duke i sjellë përfitime të mëdha Britanisë.

Timothy Garton Ash:  Jam shumë dakord.

Kryeministri Edi Rama: Sepse, e patë, kur filluan të largoheshin pas Brexit-it, ju duheshin shoferë kamioni.

Timothy Garton Ash:  Por, çdo analist i Brexit-it do ta thoshte këtë – dhe ata janë njerëz që janë thjesht në kërkim të së vërtetës – se një nga arsyet pse njerëzit e dhanë votën për Brexit-in ishte shkalla e emigracionit, sidomos nga brenda BE-së dhe këtu qëndron ndryshimi nga vendet e tjera europiane. Është thjesht fakt dhe nuk mendoj që Toni do ta kishte problem…