zoom

Lajme

Rama, si i huaj në Kosovë. Injoron Kurtin, ia var vetëm Spiropalit

Mjafton të shohësh imazhet që u transmetuan live në të gjitha mediat e Shqipërisë e Kosovës për të kuptuar sikletin që po kalon Edi Rama në mbledhjen e përbashkët të parlamenteve të dy vendeve.

Dukej sikur për vizitë kishte shkuar kryeministri të një vendi të largët me Kosovën, si nga ana e raporteve ashtu edhe gjeografikisht. Nuk dihet as nëse ai dha dorën Kurtit kur u takua me të në zyrën e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, pa praninë e kamerave.

Por dikush që hyri në zyrën e Konjufcës vetëm pak minuta pas Ramës tregoi këtë skenë për Zoom.al.

“Rama po bënte një bisedë intensive me Spiropalin. Ishin të dy në një cep dhe po bisedonin sikur kishte kohë pa u parë. Ndërsa Albin Kurti dhe Glauk Konjufca ua kishin ngulur sytë çuditshëm. Herë shikonin Ramën e Spiropalin e herë njëri – tjetrin”.

Kur hyri në sallën e parlamentit, Rama e Kurti qëndruan sërish në distancë. Rama u pa që i dha dorën ish -kryeministrit Ramush Haradinaj, të cilin, kur ishtë në detyrë, e pati kërcënuar se do ta çonte në gjyq për shpifje, sepse Haradinaj deklaroi publikisht se me planin për ndarjen e Kosovës, treshja Rama – Vuçiç – Thaçi do të përfitonin nga 10 miliardë dollarë. Më pas u tërhoq pa shpjeguar arsyet.

Në 11 vjet në krye të qeverisë shqiptare Edi Rama i ka përkeqësuar marrëdhëniet me Kosovën si askush më parë në histori. Ai pati raporte të mira me Hashin Thaçin, por e sulmoi atë kur Thaçi bojkoti takimin e “Open Balkan” në Durrës.

Ramush Hardinaj e kërcënoi me gjyq.

Me Albin Kurtin vazhdon një konflikt të pashpjegueshëm, duke futur hundët në punët e Kosovës pa biseduar më parë me zyrtarët atje, siç ishte propozimi i pakonsultuar me Prishtinën për Scholz e Macron për Asociacionin. Kurti as që e priti kur Rama ndërmori një tur rajonal. Dy qeveritë nuk janë mbledhur më prej dy vjetësh.

Takimi i sotëm nuk pritej të ndryshonte asgjë në marrëdhëniet Rama – Kurti. As në ato mes Shqipërisë e Kosovës, të cilat, fatmirësisht nuk varen nga asnjëri prej tyre. /Zoom.al

Postime të lidhura