zoom

Lajme

Rama ngacmon Bardhin: Ore kush je? Deputeti: Vëllai i Olsit, s’jemi anëtarë të asnjë grupi kriminal

Vazhdojnë “ngacmimet” politike edhe jashtë Parlamentit mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të grupit të PD, Gazment Bardhi, pas debateve të djeshme me pyetjen retorike “Kush je?”.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video me pjesë nga debati i zhvilluar një ditë më parë në Kuvend, ku është diskutuar mbi rezolutën e PS-së për luftën ndaj-korrupsionit. Gjatë debatit, për shkak të kundërshtive të deputetëve të opozitës, ministra dhe deputetë të PS-së kanë replikuar dhe hedhur akuza ndaj kolegëve të tyre. Një nga këto përplasje ishte ajo mes ministres së Shtetit, Elisa Spiropali, dhe Gazment Bardhit.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke iu drejtuar kreut të Grupit Parlamentar të PD-së i kujtoi deklaratat e tij në raport me Sali Berishën, ku në fillim e cilësonte si babai i Xenit, ndërsa tani sillet si djali i adoptuar i ish-Kryeministrit. Thelbi i fjalimit të Spiropalit dhe më pas edhe ministrit Ulsi Manja, ishte pikërisht kjo se çfarë përfaqësojnë deputetët e PD-së, ata që paradite luftojmë me llogje korrupsionin, apo ata që shkojnë pasdite poshtë ballkonit të Sali Berishës.

Video është postuar nga Kryeministri Edi Rama i cili shtron pyetjet: “Kush je? Ore kush jeni? Kush janë në fakt?”. Duket se Kryeministri ka vijuar edhe sot thumbimet në drejtim të Gazment Bardhit dhe deputetëve të opozitës, që nga sulmet dhe akuzat e brendshme që kanë shkëmbyer mes tyre, sot shfaqen të bashkuar në diversitet.

Dhe nuk ka vonuar përgjigja e këtij të fundit me një tjetër ironi therëse nga ajo e sallës dje, ku i kujtoi Spiropalit se ai nuk ishte as i grupeve kriminale dhe as i Arben Ndokës dhe Olsi Ramës e Pëllumb Gjokës, duke e pyetur ministren nëse ajo ishte motra, kunata apo e afërme e tyre.

Bardhi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, referuar qëndrimeve që kanë mbajtur deputetë të opozitës në raport me ish-Kryeministrin Sali Berisha.

“Ne nuk jemi Ols Rama, Arben Ndoka, Rrahman Rraja, Armando Prenga, Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, Ilir Beqaj, Elvis Rroshi, Agim Kajmaku as Valdrin Pjetri dhe nuk jemi anëtar të asnjë grupi të strukturuar kriminal”, shkruan Bardhi në postimin e tij.

Postimi i plotë:

“Meqënëse çdo shqiptar e di tashmë kush është Edi Rama dhe ekipi i tij , ky vetë duhet të dijë kush ne nuk jemi.

Ne nuk jemi Ols Rama, Arben Ndoka, Rrahman Rraja, Armando Prenga, Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, Ilir Beqaj, Elvis Rroshi, Agim Kajmaku, Valdrin Pjetri, etj. Nuk jemi anëtar të asnjë grupi të strukturuar kriminal, që qeverisë Shqipërinë prej 11 vitesh sipas parimit: “të vjedhim Shqipërinë për të vjedhur zgjedhjet, dhe të vjedhim zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë!”. /ZOOM.AL/

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Edi Rama (@ediramaal)