zoom

Politikë

Rama i kthehet Bashës: Futesh nga mbrapa në selinë e PD-së se ke frikë

“Futesh nga mbrapa në selinë e PD-së se ke frikë”, kështu u shpreh kryeministri Edi Rama ndër të tjera, gjatë replikave në Kuvend me liderin e PD-së, Lulzim Basha.

Për minuta të tëra, një lojë “hidh e prit” fjalësh u zhvillua mes tyre, duke përfshirë një lum akuzash ndaj njëri-tjetrit.

Sa u përket deklaratave të Bashës për “llumin e PS-së”, por edhe për atë që vetë kryedemokrati e ka cilësuar si “llumi i PD”, kryeministri i është kthyer duke i thënë se ai llum e ka nxjerrë atë kryetar.

Replikë e Ramës:

Kanti thotë “Kur dikush të akuzon për diçka që nuk e ke bërë, ose e ka bërë vetë, ose do ta bënte vetë në vendin tënd”.

Kur vihesh përballë akuzash të tilla, është në fakt barra e akuzuesit të provojë akuzën, nuk është barra e të akuzuarit të provojë që nuk e ka bërë atë për të cilën akuzohet, por zotëria më dha një mundësi për shkak të paaftësisë së tij proverbiale, në raport me shifrat që unë të përgjigjem thjeshtë. Po sikur fondet e vëna në dispozicion për rindërtimin e shkollave nga Bashkimi Europian në raport me fondet e vëna në dispozicion nga qeveria për rindërtimin e shkollave të rezultojnë më të larta në shpenzim për investim sesa fondet e qeverisë, cfarë duhet të bëjmë me gjithë këtë çarçaf që sapo u var në foltoren e Kuvendit?

Po sikur të gjitha investimet e bëra nga qeveria shqiptare për shkollat një për një, në aspektin e kostos, të jenë më të ulëta sesa investimet e bëra nga Programi i Bashkimit Europian po në aspektin e kostos, për të njëjtat aspekte dhe kritere, cfarë i mbetet parafolësit?

Parafolësit i mbetet ajo që i ka mbetur gjithmonë në fakt, humbja. Humbja që e ka në konstitucionin e vetë mënyrës së të qëndruarit në skenën politike qysh në ditën e parë.

Humbja që e përgatit me duart, me gjuhën dhe me qëndrimet e veta, çdo ditë.

E pra, mua fondet e bashkimit Europian, Lulzim, më pëlqejnë jashtëzakonisht shumë, i jam shumë mirënjohës, jo vetëm Bashkimit Europian, por të gjithë partnerëve tanë që, jo vetëm na ndihmuan dhe na ndihmojnë në këtë proces, që nga Brukseli e deri në Abu Dhabi, që nga shumë kryeqytete të Europës, ku vende të caktuara kanë marrë përsipër të kontribuojnë për shkollat drejtpërdrejtë, deri në Ankara. Por po të them në aspektin e nikorqillëkut në shpenzimin e fondeve, u jam shumë mirënjohës atyre që kanë punuar për këtë projekt sepse kanë garantuar që ne të bëjmë më shumë me më pak. Po kështu, edhe me koston e apartamenteve me të njëjtat standarde.

Kështu që, atë fjalën “hajdut” që të ka mbirw në majë të gjuhës, gëlltite brenda, bëji gjuhës një kthesë në drejtim të ezofagut dhe herën tjetër, kur nxjerr gjuhën këtu, mate mirë kur flet për hajdutëri e hajdut dhe mate mirë kur tregon sesi shpërndahen paratë e lejeve të ndërtimit në zyrën e kryetarit të bashkisë, mate mirë kur flet për radhë të afërmish që merren me ndarjen e indulgjencave, duke shfrytëzuar zyrën e kryetarit të bashkisë.

Mati mirë këto dhe bëhu burrë, njëherë të paktën. Të ka ardhur prapë rasti të bëhesh burrë, por nuk po e shfrytëzon. E sa për pranë njerëzve, nuk ma tregon dot mua ti. Ta kam thënë më përpara dhe po ta them përsëri. E kam shumë krenari, nuk është zotësi në raport me të tjerët, por sa kilometra kam bërë unë  e sa njerëz kam takuar unë për shkak të detyrës, nuk i kanë bërë bashkë të gjithë kryeministrat që nga formimi i shtetit shqiptar, kurse zotrote nuk takon dot as partinë tënde sot. Nuk del dot nga zyra të shkosh të takosh njerëzit e tu, të partisë tënde e më tregon ti mua se ç ‘është të jesh pranë njerëzve?! Pranë njerëzve është ajo që ti nuk e mëson dot sepse je vonë për ta mësuar, por të paktën dili zot atyre njerëzve të tu, se i ke dhe 95% e mos i lë rrugëve e mos hajde këtu të bësh leksione morali e të ndysh shtëpitë e shqiptarëve sa herë del, ulu e ngri hajduta kriminela, bosa e stërbosa.

Nuk ta ka borxh njeri Lulzim dhe arsyeja pse ti nuk fiton, nuk janë as kriminelët, as bosat, as të gjithë ata që ti rendit. Arsyeja pse ti nuk fiton je ti, sepse me këtë mënyrë të foluri, nuk të beson askush. Ti gënjen veten tënde dhe me këtë mund të gënjesh dhe të tjerët për njëfarë kohe, por ndrysho sa nuk është vonë.

Ta kam thënë dhe herë tjetër, unë jam këtu për të respektuar këtë institucion, për të respektuar këtë përgjegjësi që kemi marrë bashkërisht, për të të respektuar edhe ty bashkë me partinë tënde, por që kjo është partia më e bukur e lindjes, Give me a break. Partia më e bukur e lindjes, miss lindja. Ti mund të jesh mister lindja, sot, por lind më në fund. Lind dhe mos vazhdo të flasësh sikur je akoma në pelenat e mjekut.

Bëhu burrë dhe mos hajde këtu me dëngla, me akuza, me shpifje, me baltë dhe llum, por hajde me argumenta.

Sa për ata që gdhihen në çadra, unë nuk e di ku i sheh ti ata që gdhihen në çadra se ti zgjohesh shumë vonë e kur ti zgjohesh, ata që rrinë në çadra janë në punë.

Po të them përsëri, ti e di, por po e them për ata që akoma të dëgjojnë, për atë 95% që mezi pret, që në çadra qysh nga dita e parë, janë rreth 400 familje, edhe sot por siç ke kërkuar dhe gërmuar më parë, dhe faktikisht nuk gjete gjë, mund të shkosh prapë e të gërmosh, nëse nga ata që janë në çadra ka ndonjë familje që sot që flasim nuk vazhdon të marrë bonusin e qerasë. Pse rrinë në çadra ata? Ata rrinë në çadra, jo se i kemi lënë ne, Lulzim, që ta mësosh por ata rrinë në çadra sepse ndryshe nga ty, ata punojnë.

Ata rrinë në çadra sepse ndryshe nga ty e nxjerrin bukën me punën e tyre, jo me punën e të tjerëve. Ata rrinë në çadra sepse ndryshe nga ti, nuk i ka mbajtur njeri në krah, me vite të tëra ,duke i prezantuar sikur po bëjnë atë që ti në fakt ke bërë sikur e ke bërë.

Ata rrinë në çadra sepse e kanë larg tokën, fermën, gjënë e gjallë nga zonat ku mund të marrin apartamente. Kështu që, ti, kur i qan hallin të tjerëve, sidomos kur i qan hallin popullit, mban një erë hipokrizie or ti Lulzim sa dhe këta që janë këtu, që janë me ty, aq shumë të vështirë e kanë ta përballojnë sepse dhe këta aq shumë e kanë gënjyer veten që ti je lideri i tyre saqë dhe tani çdo ditë gdhihen dhe ngrysen me idenë “Orë a je ti apo nuk je ti, mund të jesh ti vërtetë ai që këta i kanë thënë vetes se je apo mund të mos jesh”!

Kjo nuk është puna ime, puna ime është vetëm kjo; të të kujtoj edhe njëherë tjetër që kur vjen këtu e bën të fortin, e para kujtohu se ca ke bërë, kujtohu mirë.

E dyta, kur thua këtu “E di gjithë Tirana, e di gjithë Shqipëria” mendohu mirë njëherë se sa shumë gjëra di Tirana dhe Shqipëria për ty o Lulzim dhe sa shumë gjëra dinë këta që janë këtu rreth e rrotull teje.

Ke një mundësi t’i shmangësh këto budallallëqe dhe të fokusohesh tek çështjet, faktet dhe argumentet. Nëse ke fakte, hajde ballafaqojmë, patjetër. Ka shumë fakte, të cilat flasin pse qeveria nuk është në lartësinë e duhur në një fushë, në një fushë tjetër, në një hap tjetër.

Ka shumë argumente që mund të trajtohen në mënyrë civile dhe mund të jenë vlerë e shtuar.

Por këto me të fortin këtu, që del si… Aman mos, na e kurse këtë. Na e kurse këtë dhe kursej shqiptarëve. Dhe “pranë njerëzve”, të lutem mos e përsërit më. Mos e përsërit më derisa të provosh se je në gjendje të rrish pranë 50 demokratëve në të njëjtën kohë, jo më shumë. Kur t’i mbledhësh 50 bashkë, jashtë mureve të SHQUP-it, hajde pastaj flasim si rrihet pranë njerëzve, a të keqen vëllai, se të kam xhan.