zoom

In Zoom

Rama fundos Lamen për të larë duart me korrupsionin në Kadastër

Në valën e kritikave të nisur që para zgjedhjeve për Kadrastrën, kjo e sotmja që ndër më të ashprat.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, foli për deputetë, ministra e kryetarë bashkish si përgjegjës që me ndërhyrjet e tyre e kanë degjeneruar sistemin e pronave.

“E vërteta e hidhur është që Kadastra është penguar në mënyrë të vazhdueshme, në radhë të parë nga ju dhe kur them nga ju, nuk kam parasysh secilin prej jush personalisht, por kam parasysh kategorinë që ju përfaqësoni, deputetë, ministra, kryetarë bashkish. Për të vazhduar me më tutje të gjithë ata, që kanë sadopak pushtet që i kanë dhënë vetes të drejtën të interferojnë me kadastrën si të ishte një rifuxhio pekatorium për të gjitha llojet e nevojave, që nga influenca për emërimet e drejtuesve të Kadastrës, influencë deri në imponim, tek influenca për punonjës në Kadastër, deri në imponim, tek influenca për mbështetje për njërin e për tjetrin deri në imponim. Duke e penguar Kadastrën të bëhet ajo që duhet të jetë, Banka e sigurtë e pronës së patundshme të shqiptarëve”, tha Rama gjatë një takim me drejtues dhe punonjës të agjencisë.

Në katër vitet e fundit Agjencia e Kadastrës është drejtuar nga një prej njerëzve më të besuar të Ramës, Artan Lame, një personazh që ka qenë historikisht në krah të tij, prej vitit 1999 kur Rama e emëroi Drejtor të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës që drejtohej prej tij, për ta marrë si zëvendës në bashkinë e Tiranës nga 2000 deri në 2002 dhe drejtor të Përgjthshëm të ALUIZNI-t nga 2013 deri në 2019.

I larguar me lot në sy nga Kadastra, Artan Lame duket se do të marrë me vete të gjithë mëkatet e korrupsionit dhe vjedhjeve galopante të pronave. Edi Rama nuk e kurseu, duke i faturuar ekskluzivisht dështimin, duke thënë se nën shembullin e tij vodhën dhe u korruptuan edhe të tjerë drejtues e punonjës të Kadastrës.

“Pa diskutim që është bërë shumë përpjekje. Askush s’mund ta mohojë këtë, por askush nuk mohon dot që, sot ne jemi në kushtet kur nuk mund të themi që kemi arritur atë që duhej. Përkundrazi, kemi parë para syve tanë të ndodhin çudira pas çudirash me pronat e shqiptareve. Dhe pa diskutim që aktori kryesor i gjithë kësaj historie të zymtë është korrupsioni, paraja por ajo shprehja “Kur gjenerali shkul një mollë, ushtarët marrin gjithë pemën” ka bërë që për shkak se influenca politike mbi Kadastrën e deputetëve, e kryetarëve të bashkive e të gjithë të tjerëve me radhë ka qenë shumë e pranishme, atëherë të tjerët kanë bërë njëmijëfishin e asaj që kanë qenë të detyruar nga lidhjet miqësore, nga lidhjet familjare, nga lidhjet klanore, nga lidhjet e gjithfarëllojshme t’i bëjnë për njërin apo për tjetrin.”

Media dhe opozita i kanë denoncuar vazhdimisht skandalet me pronat në Agjencinë e Kadastrave. Drejtoria e Vlorës ndryshoi të paktën 9 drejtues në më pak se 1 vit. Njëri prej tyre u kërcënua edhe me pistoletë.

Por kryeministri mbylli sytë e veshët për 9 vjet me radhë në pushtet. Sot, duke mos dashur të marrë përsipër përgjegjësinë personale për sa lejoi masakrën me pronat, u kërkoi ndjesë shqiptarëvë në emër të Partisë Socialiste.

“Dhe unë dua ta them me gojën plot dhe me kokën ulur se sot është dita për t’i kërkuar një ndjesë shumë të madhe në emër të Partisë Socialiste të gjithë atyre shqiptarëve që kanë kaluar në zinxhirin e torturave në Kadastër. Dhe kjo ndjesë është ndjesa e kryetarit të një partie fajtore dhe natyrisht nuk është e gjithë partia, por është udhëheqja e partisë në radhë të parë, që ka dhënë shembullin më të shëmtuar për gjithë të tjerët, që u ka thënë të tjerëve se kjo bankë është një han me 7 porta ku nga porta kryesore futen udhëheqësit, pastaj nga portat e tjera futen të gjithë llojet e kategorive”, u shpreh Rama.

Por a duhet ta besojnë shqiptarët sërish Edi Ramën? A janë kritikat dhe autokritikat si në kohën e komunizmit prova që tregon se një kryetar qeverie do të ndryshojë qasjen?
A nuk presin shqiptarët që abuzuesit me pronat të dërgohen para drejtësisë? Nëse ka pasur korrupsion, a ka ndonjë institucion shtetëror që ka çuar dosje me denoncime në prokurori? A nuk është nxjerrja e përgjegjësive dhë vënia e përgjegjësve para ligjit ndjesa më e sinqertë për mëkatet 9 -vjeçare që u janë bërë shqiptarëve?

Ndjesa pa fajtorë është mënyrë për t’ia hedhur pa u lagur. Edi Rama e di këtë. Dhe nëse dikur do të ketë drejtësi, faturën ai ia la sot ish -bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Artan Lames.

Por a është Lame mëkatari i vetëm i kësaj situate me pronat? Dy vjet më parë mediat publikuan një audio-përgjim ku Lame si kryetar i ALUIZNI-t u thoshte punonjësve të vet se kryeministri Edi Rama i kishte kërkuar të gënjente për legalizimet.

“Është bërë një takim tek kryeministri para rreth nji muaji për proçesin e legalizimeve në vijim, unë kam paraqitur situatën e kam iniciuar unë vetë takimin për të informuar dhe atë po dhe për të marrë një input politik që ore si do vazhdoj proçesi, ëëë dhe llogjika ime ka qene kjo:

Në këto 320 mijë, objekte që, që kanë bërë vetëdeklarim pra që janë fizikisht dosje reale, janë mbyllur rreth 150 që do të thotë kanë mbetur 170 tjera, në këto 170 të tjera vetëm rreth 60, se sapo diskutonim që parë që kjo 60 mijëshe për sa kohë i mbyllim, vetëm rreth 60 mijë bëhen…

…të tjerat janë të pabëshme ose që nuk duhen bërë se janë kriminale që do të thotë që në këtë moment na dalin rreth 100 mijë leje, 100 mijë objekte të cilët ne me vetëdije do vazhdojmë ti mbajmë se janë njerëz po i the që nuk të bëhet ja hodhe palës tjetër, u bënë mish për top për palën tjetër, pra do vazhdojnë të trajtohen, do shikohet, do ta trajtojm, do ta diskutojm, do ta rishohim ëëë, atë, ëë kur të rishihet ëë legjislacioni…”, – dëgjohet të thotë Lame në audio-përgjim.

Përgjimi i Lames është provë se jo vetëm që ai ka qenë një “yes-man” nën urdhërat e shefit, por që vetë shefi i tij ka përgjegjësi direkte që qytetarëve nuk u është dhënë shërbimi i duhur për pronat. Edi Rama nuk mundi ta merrte sot përgjegjësinë mbi veten, por e shpërndau sa te Lame sa te Partia Socialiste, deputetetë e ministra, a thua se ai drejton Teatrin e Kukullave dhe nuk është i pari i qeverisë dhe partisë që ka zgjedhur dhe emëruar gjithë sa përmendi si fajtorë. /Zoom.al