zoom

Bota

Raketa amerikane vrau 7 fëmijë, si CIA e paralajmëroi ushtrinë disa sekonda para sulmit

Vetëm disa sekonda para se ushtria amerikane të hidhte një raketë mbi një makinë në Kabul, me pretendimin se aty fshihej një “luftëtar” i ISIS-K, CIA dha një paralajmërim urgjent: Në zonë kishte civilë, madje edhe fëmijë brenda automjetit.

Por ishte tepër vonë. Paralajmërimi më 29 gusht erdhi disa sekonda para se raketa të godiste makinën, duke vrarë 10 civilë, përfshirë shtatë fëmijë.

Në javët në vijim, ushtria këmbënguli se kishte qenë një sulm i justifikuar mbi një objektiv të konfirmuar terrorist, duke pranuar se disa civilë mund të ishin vrarë.

Por të Premten, pas raportimeve të shumta mediatike që hodhën dyshime mbi legjitimitetin e sulmit, ushtria pranoi se askush në makinë nuk ishte i lidhur me ISIS-K siç besohej fillimisht.

“Ishte një gabim,” tha Frank McKenzie, gjenerali i lartë i Komandës Qendrore të SHBA, në mënyrë të prerë në Pentagon.

Ushtria i quan sulme të tilla, të cilat komandantët në terren ishin të autorizuar t’i merrnin pa u konsultuar me zinxhirin komandues, “dinamikë”.

Në disa raste, ushtria mund t’i kërkojë komunitetit të inteligjencës të “ngarkojë” dronët e tij të mbikqyrjes dhe asetet e tjera për të parë një makinë të veçantë ose një vend të caktuar. Komuniteti i inteligjencës do të ndante të dhënat mbi objektivat me Departamentin e Mbrojtjes në kohë reale, por në fund të fundit është vendimi i komandantit të forcës tokësore ushtarake për të ndërmarrë sulmin.