zoom

Aktualitet

RAI 3: Kompania që ka marrë 134 mln euro për menaxhimin e kampeve në Lezhë, e përfshirë në skandale

Pjesa e dytë e emisionit investigativ “Report”, në Rai3 për misteret e paktit të emigrantëve, që provokoi polemika të forta me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ngre dyshime për kompanitë e përfshira në menaxhimin e kampeve në Shëngjin dhe Gjadër.

Kontrata prej 134 milionë euro për menaxhimin e kampeve është firmosur nga qeveria italiane me kompaninë “Medihospes”, që sipas investigimit të RAI3 rezulton të jetë një kompani e lindur nga hiri i kompanisë “La Cascina” që është shkrirë në kuadër të hetimit “Mafia Capitale” në vitin 2015.

Kompania “Medihospes” është shndërruar në një gjigant në sektorin e pritjes së emigrantëve në Itali. Në vitin 2022 në Romë kjo kompani menaxhoi rreth 80% të vendeve të akomodimit të destinuara për azilkërkuesit, dhe llogaritë bankare të saj janë shtuar në mënyrë të shpejtë, kryesisht duke përfituar nga fondet Publike.

Emisioni “Report” në RAI3 ka publikuar të dhëna për rritjen e vazhdueshme të kostove të ndërtimit të kampeve në Shqipëri dhe ngrenë dyshime se projekti do të jetë i pasuksesshëm.

Lidhur me ndërtimin e kampeve në Shëngjin dhe Gjadër, gazetari i emisionit “Report” bisedoi me kryeministrin Edi Rama në një intervistë të gjatë të zyrën e tij në Tiranë. Kryeministri mbrojti marrëveshjen me Melonin, duke e vënë theksin tek solidaritetit me këtë problem demografik që po përballet Europa sot.

Në 70 minuta të emisionit Report nën titullin “fushata e Shqipërisë” u përfshi edhe një videoregjistrim ku shfaqet ish-zv/kryeministri Ahmetaj i cili dhe përmendi disa emra, sipas tij të lidhur me botën e mafies, që janë takuar me kryeministrin Edi Rama. /ZOOM.AL/