Aplikacion
Çdo vit shoqëria koncesionare paguhet 876 milion lekë për 475 mijë kontrolle të planifikuara, ose 1,844 lekë për kontroll. Në kontratën e tipit PPP përcaktohet që shoqëria koncesionare duhet të realizojë 475 mijë kontrolle bazë në vit. Në rast se nuk i plotëson, diferenca paguhet nga shteti.
Sipas të dhënave zyrtare, kompania “3P Life Logistic” që ka fituar koncesionin, i ka realizuar vetëm në vitin 2019 kontrollet e planifikuara, duke justifikuar në këtë mënyrë pagesat që merr nga buxheti i shtetit.
Në vitin 2020, për shkak të pandemisë Covid-19, kjo kontratë koncesionare u pezullua në 17.03.2020, në zbatim dhe përputhje me masat e marra për pandeminë. Ajo hyri sërish në fuqi në shtator, por u ndërpre për të dytën herë me qëllim hartimin e modaliteteve dhe protokolleve përkatëse në kushtet e pandemisë.
Në total, gjatë vitit 2020 kanë përfituar shërbimin e “check up” 101,426 persona dhe pagesa nga buxheti i shtetit ka qënë 322 milion lekë. 2020 rezulton kështu viti me numrin më të ulët të kontrolleve të realizuara në 6 vjet.
Tabela 1
Viti | Nr. i Përfituesve | Pagesat nga qeveria Shqiptare në LEKË | Pagesa për Check-Up të Parealizuara në LEKË |
2015 | 244,420 | 876,083,000 | 419,372,520 |
2016 | 329,555 | 876,083,000 | 262,383,580 |
2017 | 316,601 | 876,083,000 | 286,270,756 |
2018 | 428,891 | 876,083,000 | 85,207,996 |
2019 | 482,716 | 876,083,000 | – |
2020 | 101,426 | 322,322,000 | 135,292,456 |
TOTALI | 1,903,609 | 4,702,737,000 | 1,188,527,308 ose (9,742,207 euro) |
Burimi: Ministria e Financave
Problem nuk është vetëm pagesa për shërbime të parealizuara, por edhe TVSH-ja. Kjo për faktin se vijojnë të pranohen dhe likuidohen faturat tatimore mujore të Check-Up, lëshuar nga koncesionari, duke përfshirë edhe TVSH në masën 20% mbi vlerën e shërbimit shëndetësor, ndërkohë që ky shërbim duhet të trajtohet si Furnizim i Përjashtuar nga TVSH, sipas përcaktimit ligjor. Ky konstatim është bërë edhe në auditimet e mëparshme nga KLSH (Kontrolli i Lartë i Shtetit), për të cilën është paraqitur edhe interpretimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që ka referuar trajtimin si shërbim të tatueshëm.
PPP e “Check UP” u nënshkrua nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2015, si ofertë e pakërkuar nga kompania “3P Life Ligistic” e Vilma Nushit, në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Ilir Beqaj.
Ky shërbim përfitohet falas nga të gjithë shtetasit e grupmoshës 35-70 vjeç, me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë. Risku financiar i kontratës mbartet nga shteti shqiptar.
“Në lidhje me risqet që rrjedhin nga zbatimi i kontratës koncesionare, tek pala private janë transferuar risku i ndërtimit, risku i operimit dhe performancës, risku i transferimit të aseteve, ndërsa risku i ndryshimeve ligjore, risku material nga vendimet politike, risku financiar i janë alokuar palës publike. Ndërkohë, janë ndarë mes palëve risku i kërkesës, risku i forcës madhore, risku i rinegocimit, risku i ndërprerjes së kontratës dhe risku i lejeve dhe licencave”, thuhet në kontratë.
Për të realizuar planin, autoritetet shëndetësore u dërguan kërkesa detyruese mjekëve të familjes, që të realizonin një plan të caktuar të referimeve për kontrollet e “check up”.
Kontrata koncesionare, me vlerë afro 120 milionë euro, ka nisur të implementohet në datë 31.03.2015 dhe ka afat 10-vjeçar. Në bazë të kësaj kontrate, shoqëria koncesionare ka marrë përsipër të ndërtojë, të pajisë me aparaturat mjekësore të nevojshme, të operojë dhe të menaxhojë 20 laboratore./ Armand Kullau –Zoom.al