zoom

In Zoom

Qeveria në krizë financiare? Thirrja për të investuar në bono thesari, dëshmi e arkës bosh

Duke shënuar një rast të paprecedent në Shqipëri, kryeministri Rama u bëri thirrje qytetarëve që të investojnë në bono thesari.

“Rritja e normës së interesit është një avantazh për të gjithë ata qytetarë që duan të investojnë në bonot e thesarit dhe që janë me risk zero” deklaroi ai, duke i orientuar drejt sporteve të Bankës së Shqipërisë.

Po përse kjo thirrje e kryeministrit për qytetarët për të investuar në sistemin bankar? Ekspertë të ekonomisë shpjeguan për Zoom.al se kjo është një provë që qeveria është në vështirësi, për shkak se nuk ka më para. “Mungesa e likuiditetit duhet të jetë në nivele kritike dhe kjo duhet ta ketë detyruar kryeministrin t’u drejtohet qytetarëve në mënyrë që ata të hedhin paratë e tyre në bono thesari që qeveria të ketë mundësi t’i përdorë. Kjo do të thotë se ekonomia nuk po lëviz”, shpjegojnë ekspertët.

Mungesa e likuiditetit mund ta çojë qeverinë drejt falimentimit, në kohën kur ekonomia është në krizë të gjithanshme: çmimet janë rritur, sektori energjitik është në krizë, borxhi publik është në nivelet më të larta historike, konsumi ka rënë, fuqia punëtorë po pakësohet dita ditës, truri po emigron dhe qytetarët po preferojnë që kursimet e tyre t’i mbajnë në shtëpi dhe.

Kështu, arka e shtetit ka gjasë të jetë bosh. Për ta mbushur me paratë e qytetarëve, qeveria po provon t’ua marrë duke i joshur me normën e lartë të interesit.

“Nëse bonot e thesarit 12 mujore deri vitin e kaluar kishin një normë interesi mjaft më të ulët, sot kanë një normë interesi 5,74%. Ndërkohë që qeveria ka tituj edhe më afatgjatë dhe gjatë gjithë këtyre viteve ka punuar me qëllim që të rrisim maturitetin e titujve që tregton dhe ia ka arritur qëllimit”, deklaroi ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj.

Mungesa e likuiditetit ka detyruar mjaft qeveri të falimentojnë. Greqia pati norma mjaft të favorshme kur qeveria falimentoi në vitin 2010.

“Deficitet shumë më të larta se sa pritej gërryen besimin e investitorëve, duke bërë që yield-et e obligacioneve sovrane greke, të cilat korrespondojnë me koston e huamarrjes së parave, të rriten në nivele të paqëndrueshme. Situata u përkeqësua deri në atë pikë sa vendi nuk ishte më në gjendje të rifinanconte huamarrjen dhe u detyrua të kërkonte ndihmë nga partnerët evropianë dhe nga FMN”, shkruajnë mediat greke kur rendisin shkaqet e falimentimit të Greqisë.

Ndryshimi kryesor mes bonove dhe obligacioneve qëndron vetëm në faktin që bonot e thesarit kanë maturitet për më pak se një vit, ndërsa obligacionet kanë maturitet për më tepër se një vit.

Qeveria po e shet si mundësi për qytetarët investimin në bonot e thesarit. Por përse nuk i shpjegon ajo shkaqet që e detyruan për t’iu drejtuar me një thirrje të tillë qyetarëve, kur ajo nuk u ka bërë asnjëherë më parë thirrje atyre për t’i orientuar se ku t’i investojnë paratë e tyre? /Zoom.al