Aplikacion
Duke përmendur se janë në fazë apelimi, aktorë të qeverisë, por edhe vetë Rama kanë mohuar kategorikisht se kanë paguar Becchettin, apo mundësinë për t’a paguar në të ardhmen.
Teknikisht ata po thonë të vërtetën, faktikisht, po gënjejnë.
Bazuar në transaksionet zyrtare të Thesarit, qeveria i ka paguar Francesco Becchettit, rreth 80% të detyrimit prej 110 milionë eurosh, ose 85 milionë euro…tërthorazi.
Në datën 24 janar, ministria e Ekonomisë i ka kaluar kompanisë Albcontrol 2 miliardë lekë, pak më shumë se 20 milionë euro, shënuar si “hua”.
Ndërkohë gjatë periudhës 2022-2023, Albcontrol ka marrë në formën e huasë nga qeveria 65 milionë euro të tjera, nga ministria e Financave, Autoriteti Portual, Drejtoria e Transportit Rrugor etj.
Teknikisht, qeverisë nuk i ngelej asnjë zgjidhje tjetër, pas bllokimit të aseteve të Albcontrol nga Eurocontrol, kontrolli europian i qarkullimit ajror, për llogari të Becchettiti, një qytetar europian, tashëm fitues i një gjyqi abritrazhi me Shqipërinë.
Në nëntor 2024, Eurocontrol ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare dhe kompaninë Albcontrol se përmbaruesi i Becchettit ka ekzekutuar vendimin e arbitrazhit me anë të llogarive të bllokuara.
Manovrat me Albcontrol
Pasi kërcënoi disa herë se do të tërhiqej nga juridiksioni i CSID, qendra e Arbitrazhit ndërkombëtar, vendim që e kanë marrë vetëm disa vende komunistë në botë, kryeministri Rama dhe socialistët tentuan të mbulonin diellin me shoshë. E vetmja gjë që ata kishin në dorë përballë një gjykatë ndërkombëtare dhe një autoriteti europian, ishte akti normativ në Shqipëri.
Qeveria bëri disa manovra me statusin juridik të Albcontrol, për të legjitimuar financimin nga buxheti i shtetit, pasi tarifat nga Eurocontrol tashmë shkojnë në xhepin e Bechettit.
Ministria nën drejtimin e Belinda Ballukut, i kërkoi Kuvendit kthimin e Albcontrol nga një sh.a në një ent, dhe kjo sipas saj vetëm për qëllime “dokumentacioni” dhe për shmangien e një falimentimi “de jure”.
“Albcontrol nuk duhet të ketë fitim. Duhet të marrë atë shifër që i duhet për operime dhe investime. Nëse nuk arrijmë ta kolaudojmë përmes operimeve, nuk kemi pse të marrim vendime. Në pandemi nuk kishte punë. Jemi duke rregulluar formatin funksional të kësaj kompanie duke e kthyer në institucion shtetëror, jo fitimprurës. Ky është thelbi, por e kuptoj që është çështje shumë teknike, u shpreh Balluku përballë deputetëve në Kuvend.
Deputetët demokratë kundërshtuan dhe kritikuan lëvizjen e qeverisë, duke thënë se po shkurton fonde nga programet e bujqësisë e arsimit, për të mbajtur në këmbë Albcontrol, që tashmë rrezikohej nga dëshira e kryeministrit për të kontrolluar mediat.
“Ligji është bërë për shkak të gjyqit të Becchettit dhe për shkak se Albcontrol-it i janë sekuestruar fondet në llogaritë që ka në Vjenë. Dëshira e kryeministrit për të kontrolluar mediat na ka çuar në një Arbitrazh ndërkombëtar ku Shqipëria humbi dhe për të paguar gjobën janë bllokuar fondet e jashtme”, tha deputeti Spaho. Të njëjtin qëndrim kishin dhe demokratët e tjerë në komision.
Burime për Zoom.al tregojnë se ndryshimi i statusit të Albcontrol nuk është i mirëpritur nga Eurocontrol, por ky autoritet nuk ka juridiksion të ndërhyjë, veçse të sugjerojë e monitorojë.
Për ekspertët është shqetësuese dhe mungesa e transparencës që mund të ndodhë në të ardhmen me financat e Albcontrol, meqë nuk është më një shoqëri aksionare publike./Zoom.al