zoom

Ekonomi

Qeveria miraton përfundimisht rikthimin e basteve – “Rregullat” e reja si do të funksionojë

Këshilli i Ministrave ka miratuar një ditë më parë “Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.155/2015,  “për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”,  ku përcaktohen qarte nga dhënia e licencave, funksionimi i basteve online, e deri te reklamimi i tyre ne media.

Dhënia e licencës në rang kombëtar do të jetë i kufizuar, jo më shumë se dhjetë. Për përzgjedhjen e subjektit që do të ushtrojë aktivitetin do të kryhet nga Komisioni I Licencave, në përputhje me kriteret e vlerësimit.

“1.AMLF-ja publikon në faqen e saj zyrtare të internetit, në 2 gazeta ndërkombëtare si dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike, njoftimin për konkurrim për dhënien e licencës për ofrimin e basteve on-line të cilat janë të kufizuara në numër në rang kombëtar jo më shumë se 10 (dhjetë).

Përzgjedhja e subjektit kryhet nga Komisioni i Licencave, në përputhje me kriteret e vlerësimit, afatet, procedurën e konkurrimit dhe pikëzimin, të përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat”.

 

Kush mund të marrë një licencë dhe kriteret që duhet të përmbushë

Në nenin 22 përcaktohet qartë se kush mund të kërkojë të pajiset me licencë në kategorinë “Baste sportive on-line”. Shuma e kapitalit duhet të jetë jo më pak se 40 milionë lekë, ndërsa subjekti duhet të deklaroi edhe burimin e të ardhurave që do të investohen për ushtrimin e aktivitetit.

“1. Çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, vendas ose të huaj, që kërkon të pajiset me licencë në kategorinë “Baste sportive on-line”, duhet të përmbushë kriteret minimale, si më poshtë vijon:

  1. a) Të jetë shoqëri aksionare, me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, në objektin e veprimtarisë të së cilës të pasqyrohet veprimtaria për lojëra fati në kategorinë “Baste sportive on-line”.
  2. b) Shuma e kapitalit të jetë jo më pak se 40 000 000 (dyzet milionë) lekë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e ulët për të tërë periudhën e vlefshmërisë së licencës.
  3. c) Të deklarojë burimin e kapitalit që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë për kategorinë “Baste sportive on-line”.

ç) Subjekti aplikues ose, të paktën, njëri prej aksionarëve të tij të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet.

  1. d) Subjekti aplikues ose të paktën njëri nga aksionarët duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 000 000 000 (dy miliardë) lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit si dhe të ketë kapacitetet e duhura administruese, organizative dhe besueshmërinë e duhur për t’u angazhuar me sukses në aktivitete të tilla.
  2. dh) Të paraqesë kufizimet për ndryshimet e pronësisë së aksioneve për të licencuarit, në përputhje me parashikimet e këtij ligji.

e)Të disponojë marrëveshjen me subjektin e autorizuar për përdorimin e programeve/sistemeve/Website-eve/aplikacioneve të nevojshme për të kryer aktivitetin e basteve sportive on-line. Nëse subjekti përdor sistemin/aplikacionin në pronësi të tij duhet të jetë i autorizuar edhe për këtë funksion”.

Subjekti aplikues paguan një tarifë për aplikimin për licencë në vlerën 500 000 (pesëqind mijë) lekë e cila kalon në favor të AMLF-së dhe është e pakthyeshme pavarësisht aplikimit të suksesshëm apo jo të subjektit.”.

Një fond i ngurtësuar në favor të Ministrisë së Financave

Në nenin 47 bëhen disa ndryshime që parashikojnë ngurtësim të fondeve në favor të Ministrisë së Financave dhe AMLF-së.

“Për krijimin e garancive për fituesit e lojërave të fatit, organizatori i kategorisë “Baste sportive on-line” është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 120 000 000 (njëqind e njëzet milionë) lekësh, por jo më pak se 5% e shumave të vëna në dispozicion të lojës nga ana e lojtarëve brenda një viti ushtrimor paraardhës, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.”.

“Për krijimin e garancive për shlyerjen e detyrimeve periodike karshi AMLF-së, organit tatimor etj, organizatori i kategorisë “Baste sportive on-line” është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, në një llogari të veçantë bankare, në favor të AMLF-së, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.”, thuhet në projektligj.

Detyrimet tatimore dhe pagesat e tjera

Ku do të ofrohen bastet online?

Sipas nenit 20 të projektligjit bastet sportive on-line do të luhen nëpërmjet pajisjeve elektronike apo kompjuterike si smartphone, tabletëve, Ipad-ëve, laptop-ëve, por pa u kufizuar vetëm në to, në faqet zyrtare të internetit, aplikacionet e subjekteve të licencuara për ushtrimin e aktivitetit “baste sportive on-line”, dhe vetëm nëpërmjet programeve apo platformave të autorizuara nga Komisioni i Licencave, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe akteve nënligjore.”.

Programet/sistemi/website-t/aplikacionet ku do të luhen bastet sportive on-line duhet të plotësojnë kushtet dhe standardet minimale të përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat, me propozim të Komisionit të Licencave.

 

Publiciteti i basteve online

2/1. Publiciteti lejohet të kryhet nga organizatorët e lojërave të fatit të licencuara në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë ligj:

  1. a) në median elektronike;
  2. b) në faqet on-line të autorizuara të këtyre subjekteve;

c)nëpërmjet vendosjes së materialeve vizuale në vende publike shprehimisht të përcaktuara në këtë ligj.

2/2. Publiciteti lejohet të kryhet edhe në median audiovizive nga organizatorët e lojërave të fatit “baste sportive on-line”, “bingo televizive” dhe “lotari kombëtare” në kushtet, si më poshtë vijon:

  1. a) Nga organizatorët e lojërave të fatit “baste sportive on-line”, gjatë kohës së transmetimit të eventeve sportive si dhe gjatë kohës së transmetimit të programeve sportive të lidhura me këto evente sportive që transmetohen në intervalin kohor 22:00 – 08:00, si dhe vetëm në kushtet e parashikuara në këtë ligj dhe në rregulloren e miratuar nga Komisioni i Licencave;
  2. b) Nga organizatorët e lojërave të fatit “Lotari Kombëtare” dhe “Bingo televizive” për transmetimet në intervalin kohor ditor 20:00 – 08:00.

2/3. Publiciteti lejohet të kryhet nga organizatorët e lojërave të fatit të kategorisë “kazino”, “kazino të vendosura në hotele me pesë yje” dhe “resort kazino” edhe në ambientet e porteve dhe aeroporteve, sipas kushteve të parashikuara në rregulloren përkatëse, të miratuar nga Komisioni i Licencave.

Subjektet e licencuara për lojëra fati lejohen të sponsorizojnë skuadra sportive si dhe të bëjnë publicitet të aktiviteteve të tyre në vendet ku zhvillohen veprimtari sportive, me përjashtim të eventeve sportive të të gjitha disiplinave për kategoritë nën 21 vjeç.

Lejohet vendosja e materialeve vizuale, shenjave apo tabelave orientuese nga ana e organizatorit të lojërave të fatit të kategorisë “kazino”, “kazino të vendosura në hotele me pesë yje” dhe “resort kazino”, vetëm në hyrjen qendrore në kazino. Në çdo rast, tabela mund të përmbajë vetëm emrin apo brand-in e kazinosë dhe shigjetën drejtuese të orientuar drejt hyrjes së kazinosë.

Formati dhe rregullat e transmetimit të publicitetit të lejuar të lojërave të fatit miratohet nga Komisioni I Licencave, pas marrjes së mendimit nga AMA.