Aplikacion
Me anë të një VKM-je, qeveria Rama ka vendosur të krijojë Agjencinë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, që duket si një përpjekje për të rikompozuar administrimin e parave që vijnë për inceneratorët. Në vendimin e bërë publik thuhet se kjo agjenci “do të bëjë koordinimin, monitorimin dhe bashkëpunimin me njësitë e qeverisjes vendore, institucionet e administratës publike dhe partnerët ndërkombëtarë në menaxhimin e integruar të mbetjeve, me qëllim kalimin e këtij sektori në ekonomi qarkulluese”.
Sipas ekspertëve të fushës, qëllimi i këtij ndryshimi është reduktimi i rolit të privatit në incenerator dhe fuqizimi i rolit të shtetit.
Në vendim thuhet se agjencia e re do të jetë dhe “filtrues” i parave që shkojnë për tek subjektet që menaxhojnë mbetjet, në këtë rast djegësit.
Agjencia do të bëjë promovimin dhe nxitjen e zbatimit të hierarkisë së mbetjeve për zhvillimin gradual të grumbullimit përmes ndarjes në burim e riciklimit në shkallë të gjerë dhe monitorimin e implementimit të standardeve dhe edukimin mjedisor, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në këtë vendim dhe dispozitat në ligjin përkatës për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
Ajo do të jetë në varësi të Ministrisë së Mjedisit dhe do të financohet nga buxheti i shtetit.
Inceneratorët erdhën në Shqipëri në vitin 2015, kur qeveria Rama 1 firmosi 3 kontrata koncesionare miliona euroshe, për të djegur mbetjet dhe pse atëherë BE vërejti se djegia është alternativa e fundit që një shtet duhet të zgjedhë.
10 vite më vonë, disa nga emrat e të njëjtit kabinet u burgosën për të njëjtën çështje. Disa u arratisën dhe disa dëshmuan.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar më herët ketë vit se, projekti i inceneratorit të Tiranës ka rezultuar që në fillim i papërballueshëm për buxhetin e shtetit, ndërsa Bashkisë së Tiranës nga viti 2018 i janë dyfishuar kostot e pastrimit të qytetit, pikërisht për shkak të pagesave që ajo duhet t’u bënte inceneratorëve.
Me propozimin e opozitës u krijua edhe një komision hetimor ku në një nga komisionet u thirr edhe Kryeministri Rama. Opozita ka paraqitur në Komision hetimor dëshmi se në dhënien e koncesioneve ka pasur shkelje ligjore në dhënien e tre kontratave koncesionare dhe se përfituesit e tyre kishin krijuar skema korruptive dhe pastrimi parash./Zoom.al