zoom

In Zoom

Qeveria, arnime të vazhdueshme për të mbuluar mangësitë e reformës në drejtësi

Prej tre ditësh tashmë avokatët në mbarë vendin janë ngritur në një protestë duke kundërshtuar hartën e re gjyqësore.

Në argumentet e tyre ata thonë se kalimi nga njëzetë e dy gjykata të rretheve gjyqësore në trembëdhjetë gjykata të tilla, si dhe shkrirja e të gjitha gjykatave të apelit dhe krijimi i një të tille vetëm në Tiranë, do të ketë efekte negative si në dhënien e drejtësisë ashtu edhe në rritjen e kostove për qytetarët.

Qeveria e ka mbrojtur hartën e re duke e cilësuar atë të guximshme dhe vizionare dhe që do të sjellë një efiçencë më të madhe të sistemit.Madje ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në një nga tryezat e konslutimit publik deklaronte se nuk kishim të bënim me një hartë të re gjyqësore, por me një riorganizim të sistemit.

Por asnjëherë, as nga qeveria dhe as nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, nuk ishte artikuluar deri më tani një nga arsyet e vërteta që i detyroi të shkojnë drejt kësaj harte të re gjyqësore.
Kjo deri një ditë më parë, kur kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Laureta Llagami, teksa raportoi në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, pranoi pa dashje një të vërtetë të hidhur që ka të bëjë me hartën e re gjyqësore.

Ajo deklaroi se një nga arsyet e mbylljes së një numri të madh gjyakatash ishte edhe mungesa e gjyqtarëve që ka ardhur si pasojë e vettingut.Pra thënë ndryshe, Llagami pranoi publikisht se kemi të bëjmë me një lëvizje të detyrueshme për të eliminuar sadopak problemin e krijuar nga reforma në drejtësi.

Por kjo është vetëm një nga problematikat që ka shfaqur sistemi për shkak të reformës në drejtësi.
Pak javë më parë, qeveria miratoi një vendim ku udhëzonte institucionet e varësisë që të heqin dorë nga rekurset në Gjykatën e Lartë për çështje administrative.Sipas Ministrit të Drejtësisë kjo do ta lehtësonte Gjykatën e Lartë nga afro 3800 çështje që mbeten stok në këtë gjykatë si pasojë e mungesës së gjyqtarëve të lartë dhe kjo si pasojë e procesit të vettingut.Një arnim i detyrueshëm edhe ky, por që mbart me vetvete edhe efekte negative.

Sipas opozitës kjo nuk është gjë tjetër veçse shndërimi i rekursit në një mekanizëm plaçkitje për qytetarët.
“E dini që 95% të proceseve gjyqësore fitohen vetëm nga narko qeveria, qytetarët nuk fitojnë kurrë. Tani vendosët që rekursin ta shndërroni në një mekanizëm plaçkitje të vërtetë me vendim. Të përzgjidhni ata që nuk do të shkojnë në Gjykatë të Lartë natyrisht kundrejt shumave të majme”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dy javë më parë gjatë një seane plenare.
Natyrisht që ky arnim do të ketë efekte negative edhe në Buxhetin e Shtetit, pasi qeveria vendos të heq dorë nga mbrojtja e interesit publik për çështje që kanë kosto të mëdha financiare dhe që i ka humbur në shkallët e tjera të gjyqësorit.

Një tjetërm arnim i bërë nga mazhoranca aktuale ishte edhe ai i disa muajve më parë për zgjatjen edhe me dy vite të tjera të mandatit të instiucioneve të vettingut.

Gjatë momentit të miratimit të këtyre ndryshimeve kushtetuese në Kuvend mazhoranca do të pranonte se zgjatja e mandatit ishte një domosdoshmëri për të përmbyllur të gjithë procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, I cili sipas tyre nuk kishte ecur me ritmet e duhura.
Në gati 4 vjet organet e vettingut kishin mundur të kalonin në sitë gati gjysmën e magjistratëve ose thënë ndryshe rreth 450 të tillë nga afro 850 që janë në total.

Këto janë tre arnime që tregojnë edhe një herë se reforma në drejtësi e bërë me shumë bujë gati 5 vite më parë ka qenë e pastudiuar si duhet dhe e bërë me nxitim për qëllime politike dhe për të vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë, por kursesi dhënien e një drejtësie të barabartë për të gjithë qytetarët. /Zoom.al