zoom

Bota

Putin sulmon: Në Afganistan u përjetua tragjedi, sepse SHBA-ja imponoi rregullat e saj

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e cilësoi si “tragjedi dhe humbje” situatën e krijuar sot në Afganistan, për shkak se “SHBA-ja është përpjekur të imponojë rregullat e saj dhe mënyrën e saj të jetesës”.

Putin preku çështjen e Afganistanit në një bisedë që zhvilloi me nxënësit në qytetin Vladivostok në lindje të vendit, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik. Ai rikujtoi se njësitë ushtarake të SHBA-së qëndruan për 20 vite në Afganistan dhe se SHBA-ja gjatë kësaj periudhe u përpoq që të “civilizojë” njerëzit që jetojnë në Afganistan.

“SHBA-ja në të vërtetë në Afganistan kërkoi që të impononte në kuptimin më të gjerë rregullat e saj, mënyrën e saj të jetesës dhe institucionet e saj politike. Rezultati nuk është gjë tjetër veçse tragjedi dhe humbje për ata që e kanë bërë këtë, për SHBA-në dhe për ata që jetojnë në Afganistan”, tha Putin.

Sipas tij, kjo tragjedi është përjetuar për shkak se nuk janë marrë në konsideratë historia, kultura, filozofia e jetës dhe nuk u respektuan traditat.