zoom

Aktualitet

“Punonte për bukën e gojës”, flet gjyshja e kamarierit të vrarë në Memaliaj

Gledio Muka ishte djalë i vetëm dhe gjithë jetën kishte punuar kamerier në lokalin ku edhe u vra dy ditë më parë, pas një atentati ndaj pronarit të tij.

“Punonte kamerier, për bukën e gojës. Pse ma vranë djalin?”, thotë për gazetarët gyshja e viktimës Hava Muka. “E kishin lënë punën dhe po rrinin atje se ishte vapë”, tregon ajo.

Gledio dhe Marsel Çela ishin dy viktimat e pafajshme të atentatit, që për objektiv kishte pronarin e lokalit, Shqyo Kalemi, i cili gjithashtu mbeti i vrarë. “Ne kërkojmë të drejtën e djalit, pse na e vranë? Çfarë po bën shteti?”, thotë e dëshpëruar gjyshja.

Muka dhe Çela listohen fatkeqësisht tek të pafajshmit e radhës, që mbeten viktima të përplasjeve të grupeve kriminale në vend.

58-vjeçarja Mimoza Paja, punonte si banakiere dhe kamariere,16 orë në ditë në një lokal në pronësi të Fation Muratit në zonën e “Don Boskos” në kryqytet, punë me të cilën siguronte jetesën e saj dhe të mbesës 10 vjeçare. Jeta e saj u ndërpre marsin e vitit 2023, nga breshëritë e qëlluara drejt një tavolinë ku ndodheshin familjarë të pronarit të lokalit. Xhamat e vetratës lënduan edhe vajzën e mitur.

Po në mars 2023 breshëritë e shtëna drejt fasadës së godinës së “Top Channel”, ngjarje ende pa autor, lanë të vdekur në vend Pal Kolën, në punë si roje nate. Sipas hetimit, Kola nuk ishte objekt i sulmit.

Më 4 janar 2022, Erjon Çela, u vra teksa po konsumonte një kafe me miq në një lokal në rrugën “Don Bosko” në Tiranë. Sipas një të penduari të drejtësisë, që zbardhi ngjarjen 2 vjet më vonë, atentatorët kishin ngatërruar shënjestër. Krimi i porositur nga Belgjika, nuk kishte asnjë lidhje me të riun dhe as me 4 të tjerë plagosur në ngjarje.

Në qershor 2021 një konflikt për hapësirën e shezlongëve mes familjeve Ferracaku dhe Gocaj, në plazhin e Velipojës shkaktoi një ngjarje me 4të vrarë dhe 2 të plagosur. Mes të vrarëve ishte edhe Musaen Zeneli, një 20 vjeçar që kishte nisur punë vetëm një ditë para ngjarjes në hotelin e familjes Ferracaku.

Viktimës ju gjetën veç 30 lekë në xhep. Ndërsa Shpresa Basha, halla e Marklen Hakës, u vra gabimisht mbrëmjen e 21 shtatorit 2019, teksa një grup presonazh hapën zjarr për të eliminuar nipin e saj në Zezë të Krujës.

Shkak për atentatin në Memaliaj dyshohet të jetë hakmarrja për prishje të pazareve të drogës. Shyqyri Kalemi është babai i Andrea (Adriatik) Kalemi, një person i njohur për drejtësinë. Ai u ka shpëtuar tre herë atentateve.

Saga e vrasjeve ka nisur në vitin 2020 kur u ekzekutua me anë të një bombe në makinë, Aleksandër Sadikaj, kushëri i familjes Kalemi. Më pas në Tiranë u ekzekutua Edmond Papa. Dhe, për ngjarjen akuzohen zyrtarisht dy persona, të afërm të familjes Kalemi, dhe shokë të Sadikajt.

Ndërkohë, gjendja shëndetësore e Artur Kalemit duket e stabilizuar. Ai ndodhet në reanimacionin e Spitalit Rajonal të Gjirokastrës, nën mbikëqyrjen e mjekëve kirurgë.