zoom

Aktualitet

Pse u lirua nga detyra Albana Fico? Ministrja shpjegon arsyet e ndryshimit

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu shpjegoi për mediat vendimin për të liruar nga detyra e drejtores së QSUT-së Albana Ficon dhe për të emëruar në vend të saj Alma Canin.

Sipas Koçiut, ky vendim nuk lidhet me zjarrin që ra në Urgjencën e QSUT-së 44 ditë më parë, por ndryshimi në nivel drejtues, shtoi ajo, lidhet me nevojën për energji të reja.

Lirimi i Albana Ficos nga detyra nuk ka lidhje me urgjencën. Sjellim energji të reja për projektet në vazhdim”-tha ministrja për mediat.

“Drejtorja e re e QSUT në rend të parë do të ketë vënien në funksion të plotë të urgjencës së sëmundjeve të brendshme”-shtoi ajo.

Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Koçiu u shpreh se puna në urgjencën e QSUT vazhdon normalisht dhe se po punohet ende në pjesën kur ra zjarri.

“Zëvendësimi u bë për t’i dhënë një impuls më të madh QSUT, për të shtuar ritmin. Ne sot jemi në QSUT dhe duhet të flasim për punët e mira që do të vijojnë të bëhen këtu dhe një ritëm të shtuar sa i përket shërbimit ndaj qytetarëve.

Drejtoresha e re ka një profesion të nderuar dhe ka vite që ushtron profesionin në qendrën rajonale spitalore “Shefqet Ndroqi”, tashmë do t’i bashkohet ekipit të QSUT.

Puna do të vazhdojë. Urgjenca e re, është pika e parë në menaxhimin e punës të drejtoreshës së re. Nuk është ndalur në asnjë moment puna për shërbimin e qytetarëve. Kjo do të thotë që puna do të vazhdojë, punët e mira do të vijojnë.

Jemi duke punuar intensivisht, por nuk është ndalur në asnjë moment shërbimi i qytetarëve dhe kemi shërbime që ofrohen edhe në qendrën spitalore Shefqet Ndroqi. Puna po vijon normalisht. Drejtoresha do ta ndjekë me përgjegjësi maksimale”, tha Albana Koçiu.

Postime të lidhura