zoom

Aktualitet

Zbulohet kush do zëvendësojë Ficon pas largimit nga QSUT. Reagon Gjergji: Masa gjysmake…

Pak orë pas njoftimit të dorëheqjes së kreut të QSUT, zbulohet edhe emri që do të zëvendësojë në krye të institucionit shëndetësor të spitalit “Nënë Tereza”, Albana Ficon.

Mësohet se ky post i është besuar Alma Canit. E njohur për karrierën e saj të gjatë në shëndetësi, Cani aktualisht është shefe e Shërbimit në Reanimacionin e spitalit “Shefqet Ndroqi”.

Deri më tani nuk dihet ende arsyeja e largimit të Ficos nga posti që e mbante prej 3 vitesh. Fico mori detyrën në dhjetor të vitit 2021, ku zëvendësoi Enkelejd Jotin.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë Zheni Gjergji. Ajo u shpreh se nuk mbulohet skandali i Urgjencës me masa gjysmake, referuar faktit që pas rënies së zjarrit në Urgjencën e re të Qendrës Spitalore Nënë Tereza, kjo urgjencë ka qenë jashtë shërbimit.

Sipas saj Qeveria është përgjegjëse për paratë e çuara dëm, e sidomos për koston që kjo ka sjellë tek shëndeti i qytetarëve mosfuksionimi. Gjergji tha se Opozita do ta kërkojë deri në fund të vërtetën për Urgjencën dhe çdo abuzim që është bërë në këtë sektor të cilin e quajti jetik.

“Nuk mbulohet skandali i Urgjencës me masa gjysmake. Prej ditës së parë kur Urgjenca e QSUT u përshi nga flakët ku u bë shkrumb një investim prej 17 milionë eurosh i taksapaguesve shqiptarë, kemi ngritur zërin e kemi kërkuar hetim, transparencë e përgjegjësi para ligjit.

Pas disa javësh heshtje dhe errësirë, qeveria vendosi të largojë Drejtuesen e QSUT. Këto janë masa gjysmake për shfaqje. Qeveria duhet të tregojë çfarë ndodhi, pse ndodhi, si nuk u menaxhua si duhet ajo situatë? Qeveria është përgjegjëse për paratë e çuara dëm, e sidomos për koston që kjo ka sjellë tek shëndeti i qytetarëve duke qenë se Urgjenca nuk funksionon prej muajsh tanimë.

Ky rast flagrant papërgjegjshmerie tregon raportin e vërtetë që rilindja ka me shëndetësinë, ku aferat e skandalet synon t’i zbehë me shoë e propagandë. Opozita do ta kërkojë deri në fund të vërtetën për Urgjencën e çdo abuzim që është bërë në këtë sektor jetik”, tha Gjergji. /ZOOM.AL/