zoom

Ide & Blog

Pse duhet të na plasë për shkatërrimin e pishinave të Irfanit

Ishte mëngjesi i së premtes, në dukje një ditë mëse e zakontë për pushuesit në plazhin e Golemit, kur krejt papritur, fadromat e IKMT-së mbinë kudo duke marrë para çdo gjë të mundshme. Qëllimi ishte prishja e pishinave të resortit “Prestige” me argumentin se e gjitha ishte në kuadër të një operacioni për pastrimin e bregdetit nga objektet e paligjshme. Në dukje veprimi i duhur, por plot dritëhije e të meta.

Një lëvizje shtetërore që nuk mund të mos lidhet ngushtësisht me emrin e pronarit të resortit, Irfan Hysenbelliu, pronar gjithashtu i televizionit News24, gazetës Panorama e portalit Balkanweb.

Kështu, pavarësisht përpjekjes së autoriteteve për të mbytur zërat (Ministria e Brendshme reagoi duke lënë të kuptohet se aksioni ishte i pastër, i paqëllimtë), mediat e Hysenbelliut, dhjetëra deputetë të opozitës dhe gazetarë e cilësuan sulm ndaj medias së lirë. Në një kohë kur lajmi u përhap me shpejtësi, nëpër kafene, njerëzía e komentoi “sulmin ndaj paligjshmërisë” si sulm ndaj Hysenbelliut.

Mes pretendimeve të njërës palë dhe tjetrës, ajo që po ndodh duhet parë në fokusin e marrëdhënieve të pushtetit me një media që kohët e fundit i ka krijuar jo pak kokëçarje një qeverie që mediat i ka vënë në rresht me mekanizma të ndryshëm.

Nëse pishinat ishin ndërtuar pa leje, përse IKMT e lejoi ndërtimin e tyre? Përse nuk i bllokoi që në nisje? Përse nuk i çoi për ndjekje penale përgjegjësit, siç dërgon për një avlli qytetarët e thjeshtë apo siç dërgoi në gjykatë artistin Bojken Lako për një dritare?

Ndërtimi i një objekti të tillë nuk mund të bëhet brenda një nate. Procesi kërkon javë e muaj dhe IKMT mund të kishte ndërhyrë në kohë për ta ndaluar pa u bërë investimi. Por në atë kohë, mediat e Hysenbelliut reklamonin punët e qeverisë dhe vetë Edi Rama pushonte nën freskun e pishave të “Prestige Resort”.

Në cilën dërrasë të kalbur shkelën mediat e Hysenbelliut?

Mediat e Hysenbelliut, nën kompaninë “Focus Group” kanë nisur prej disa kohësh një fushatë denoncimesh për korrupsion, nepotizëm e shkelje të ligjit në Tatime e Dogana. Doganat kanë reaguar duke thënë se Hysenbelliu është acaruar pasi është gjobitur te Birra Tirana, ku ai është pronar. Edi Rama u ka bërë jehonë disa herë deklaratave të Doganave.

Në këtë kontekst, fadromat në “Prestige” resort duket si lëvizja e radhës e një pale në konflikt me një palë tjetër.

Konflikti duket aq i ashpër, saqë gjithçka po bëhet pa paralajmërim. Fadromat e pushtetit mbërritën në resort pa asnjë njoftim paraprak, siç do të duhej të ndodhte sipas ligjit.

Nëse do të ishte aksion ndaj paligjshmërisë, qeveria e Edi Ramës do të duhet ta kishte nisur atë nga plazhi i Jalit. Në media, në IKMT, në polici dhe deri në celularin e tij kanë mbërritur me dhjetëra denoncime për kodrat që po rrafshon felini i tij, Alban Xhillari, për të hedhur beton, pa leje.

Kaq të mobilizuara dukshëm ishin autoritetet, sa gazetari Andi Bushati do të ironizonte fadromat e IKMT-së. “Kaq shumë nuk i dërguan as për të nxjerrë kufomat e tërmetit”.

Aktivisti Endrit Shabani e sheh shkatërrimin e pishinave të resortit, aspak në interes të imazhit publik.

“Më shqetëson sjellja e kryeministrit përballë një linje editoriale që ai nuk e pëlqen. Problemi shkon te çdo njeri që do të flasë. Asnjë leje e dhënë qoftë dhe me firmën e Edi Ramës nuk të mbron. Institucionet janë mashë në dorën e një njeriu të vetëm. Ky është mesazh për të gjitha mediat e tjera se ky është shkopi nëse thoni atë që nuk duhet. Jam i sigurt se ajo që ka ndodhur është e dëmshme për turizmin shqiptar. Sa herë dal jashtë Shqipërie, njerëzit ende flasin për çfarë kanë parë në 1997. Ndodhi një episod me një biznesmen që iu hodh sipër makinës, këto gjëra qëndrojnë shumë gjatë online”, tha Shabani.

 

Por a duhet parë aksioni i IKMT-së veçse si “përplasje titanësh”? Mos rrezja e goditjes shkon më larg se kaq? Prek gjë turizmin, imazhin dhe qytetarët?

Paraditen e sotme, për mikrofonët e gazetarëve, një pushues nga Kosova do të shprehej:

“Unë kam paguar pishinën, shteti vjen dhe e prish. Unë pushimet i kam paguar për një hotel me pishinë e tani s’ka pishinë se e prishi shteti në mes të pushimeve,”- duke nxjerrë në pah një tjetër akspekt. Dëmtimin e pashmangshëm që solli ky aksion në turizëm.

Rrjeti i famshëm TikTok do të mbushej me video nga prishja e dy pishinave, ku madje turistë të huaj në Golem do të publikonin pamjet e paprecedenta, me mbishkrimin: “Destroying pools in Albania just for fun”! (Shkatërrim pishinash në Shqipëri, thjesht për qejf).

Zinxhiri i pasojave të aksionit në fjalë nuk mbyllet këtu. Lëshimi i fadromave mbi bregdet pataksi qytetarët e thjeshtë. Një operacion (në dukje) mjedisor që intimidoi, ku më shumë e ku më pak masën e gjerë. “Provo të flasësh dhe shih çfarë të ndodh. Dhe kur i ndodh hapur një biznesmeni të kalibrit të lartë, ç’mund të thuhet për të tjerët”- ishte mesazhi që deshëm nuk deshëm e morëm. Më saktë, na u dha. Fati i keq deshi që në vendngjarje të mos ishim vetëm ne, “tanët”, që historia ka treguar se falim dhe harrojmë shpejt. Turistë suedezë panë gjithçka, turistë që deri vitin tjetër, do mbajnë ende mend. Zoom.al

Ky është artikull ekskluziv i Zoom.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë në bazë të Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Zoom.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal. Për mosrespektimin e këtij detyrimi, çdo shkelës do të ngarkohet me përgjegjësi sipas Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Postime të lidhura