Aplikacion
Transaksioni, i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) tregon se “Kastrati Group” është aksioneri 100% i “Tirana International Airport”, që pasi bleu aksionet nga “Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”.
Thënë ndryshe, grupi Kastrati ka monopolizuar aeroportin e Rinasit dhe çdo vendimmarrje është në dorën e tji.
Pasojat negative nga vazhdimi në monopol privat i sistemit aeroportual të vendit janë barrë e rëndë e shtuar prej qindra milionë euro për biznesin, qytetarët shqiptarë dhe ekonominë kombëtare në afatgjatë.
Menaxhimi i deritashëm në kushte monopoli të pastër i aeroportit të Tiranës pasqyrohet në tarifat më të shtrenjta në rajon dhe më gjerë, që kanë qenë të detyruar të paguajnë bizneset dhe qytetarët shqiptarë. Normat e fitimit, pasojë e gjendjes monopol, për koncesionarin janë shumë të larta.
Në vitin 2022, ministrja e Transporteve, Belinda Balluku deklaroi se nga ky aeroport kanë hyrë në vendin tonë 5.2 milionë persona, nga e cila pjesa më e madhe janë të huaj.
Nëse e marrim për të mirëqenë shifrën prej 5.2 milionë udhëtarësh që kanë hyrë në vendin tonë gjatë vitit të shkuar, atëherë rezulton se vetëm nga taksa aeroportuale, koncensionari në këtë vit ka marrë 52 milionë euro. Pa llogaritur këtu tarifat që u merr kompanive të transportit ajror për parkingun e avionëve apo edhe qiratë dhe të ardhurat e tjera nga bizneset që funksionojnë në hapësirën e aeroportit apo edhe nga parkingu.
Në kushte të tilla, pse Autoriteti i Konkurrencës, një organ publik që ka për qëllim mbrojtjen e konkurrencës së lirë në treg, nuk ndërhyn për të hetuar monopolin në sektorin aeroportual dhe të marrë masa antimonopol?
Vetëm pak javë më parë, në mënyrë gati tallëse, Autoriteti i Konkurrencës, i udhëhequr nga Denar Biba, njoftoi se po hetonte monopolin e shërbimit taksi në Aeroportin e Rinasit.
Madje, pak ditë më vonë urdhëroi kompaninë koncesionare të Aeroportit të Tiranës të lejonte aksesin pa kushte për të gjithë ndërmarrjet që ofrojnë shërbimin taksi nga dhe drejt këtij aeroporti.
Ky është një lajm për t’u përshëndetur, por pyetja që lind është: Po monopolin brenda aeroportit të Rinasit, nuk e sheh Autoriteti i Konkurrencës?
Pse Denar Biba bën “një sy qorr” kur është fjala për të nisur hetim për faktin që i gjithë aeroporti është në dorë të grupit Kastrati dhe çdo vendimmarje është e përqëndruar te Shefqet Kastrati?
Vetëm pak kohë më parë, sipërmarrësi Zak Topuzi denoncoi se në aeroportin e Rinasit çmimet dhe rregullat vendosen nga Shefqet Kastrati sipas qejfit të tij.
“Në Shqipëri është vend çudirash !! E ka bërë Çeti Aeroportin si biznes lagje 😝 bën çfarë ti dojë qefi. Qe dje, nuk lejohet te presësh njerëzit me tabelë ku shkruhet subjekti pritës apo emri i klientit !!
Autoveturën 7+1 ( sipas lejes qarkullimit mjetit) e quan “Furgon” dhe duhet të paguash për parkim nga 150 lek tani në 500 lek !!!
“Monopoli nuk të le të çash bllokadën”, ske kujt i ankohesh”, u shpreh Zak Topuzi në rrjetet sociale.
Ndërkohë që çdo ditë, nuk mungojnë ankesat e udhëtarëve jo vetëm për çmimet e kripura që paguajnë për çdo fluturim, në kontrast me çmimet e vendeve të tjera, qoftë edhe ato të rajonit.
Kur do të marrë fund ky monopol? Kur do të hapë sytë Autoriteti i Konkurrencës dhe të hetojë jo vetëm monopolet jashtë aeroportit, por edhe vetë monopolin e aeroportit “Nënë Tereza”?/ Zoom.al