zoom

Lajme

PS bën lëvizjen, i kërkon KQZ-së zgjedhje në Himarë dhe largimin e Belerit. Ja kur merret vendimi

Mazhoranca më në fund ka bërë lëvizjen e saj politike me Himarën, duke kërkuar zgjedhje të parakohëshme pas dënimit të Fredi Belerit nga të dyja shkallët me 2 vite burgim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë këtë të enjte, më datë 4 Korrik, edhe mbi fatin e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.

Projektvendimi që do të shqyrtohet në një mbledhje të posaçme, vjen pas kërkesës zyrtare që iu adresua KQZ-së nga kreu i FRESH të Himarës Eugen Likaj, i cili kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit të Kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, pasi vendimin përfundimtar të Apelit të GJKKO-së, që la në fuqi dënimin me dy vite burg.

Gjithashtu, në kërkesën drejtuar KQZ-së kërkohej që pas shpalljes së pavlefshmërisë së mandatit të Blerit, KQZ të shpallë zgjedhjet e reja të parakohëshme për kryetar të Bashkisë së Himarës.

Më 25 qershor Apeli i GJKKO vendosi 2 vjet burg për Fredi Belerin, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm që e shpall fajtor për blerje votash në zgjedhjet e 14 majit 2023. Beleri e cilësoi procesin politik, duke mohuar akuzën e blerjes së 8 votave me 50 euro secila për zgjedhjet e 14 majit 2023, të cilat i fitoi nga qelia, pasi u prangos më 12 maj.

Kujtojmë se Fredi Beleri kandidoi për kryebashkiak nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Gjithashtu ai tani është edhe eurodeputet i partisë greke “Demokracia e re”, e kryeministrit Mitsotakis, i zgjedhur po nga qelia. /ZOOM.AL/