zoom

Aktualitet

Protesta përpara Ministrisë së Brendshme, tensionohet situata! Qytetarët përplasen me policinë

Protesta përpara Ministrisë së Brendshme, tensionohet situata! Aktivistët përplasen me policinë.

 

Qytetarët, shoqëria civile dhe politika protestojnë pranë Ministrisë së Brendshme. Protesta zhvillohet në kujtim të vajzës 7-vjeçare që humbi jetën nga tragjedia e Himarës.

Protestuesit u mblodhën fillimisht tek pedonalja tek Ministria e Brendshme.

Siç duket disa prej protestuesve mbajnë pankarta nëpër duar. Po ashtu, ata kanë lëshuar thirrje kundër qeverisë.

“Jonada je në zemrat tona”, ishte një nga pankartat që mbante një qytetare.

“Çuçi-Kumbaro, kriminela me kollaro”, thërriste një tjetër.

“Poshtë qeveria, poshtë Edi Rama, poshtë ai zagar”, tha një qytetar para gazetarëve.

Po ashtu, policia ka marrë masa. Në Ministrinë e Brendshme efektivët janë vendosur në distancë nga njëri-tjetri. Forcat Shqiponja dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë janë pozicionuar në sheshin brenda teatrit. Kjo masë është marrë për të shmangur ndonjë provokim në drejtim të qytetarëve dhe për këtë arsye janë zgjedhur efektivë të rendit.

Janë marrë po ashtu edhe masa paraprake. Garda e Republikës ka marrë në mbrojtje institucionet e rëndësisë së veçantë.

Nën moton “Nuk e vrau varka, por shteti” qytetarët kërkojnë drejtësi për Jonada Avdinë, e cila zgjodhi bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet së bashku me familjen e saj, por tragjikisht humbi jetën nga mjeti lundrues i drejtuar nga komisari Arjan Tase.

Qytetarët prej ditësh kanë shprehur zemëratën e tyre në rrjetet sociale ndërsa sot kanë dalë për të kërkuar në emër të jetës të bëhet drejtësia për vajzën e mitur.

Kjo protestë mbështetet edhe nga politika. Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë kanë deklaruar se do të mbështesin këtë proteste qytetare. Në shesh kërkohet dorëheqja e Ministres se Turizmit, Mirela Kumbaro, Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe kreut të Policisë së shtetit, Gledis Nano.