Aplikacion
Tubimi është thirrur në orën 19:00 pranë godinës qeveritare për të kundështruar vendimin e Edi Ramës për mbylljen e platformës për 12 muaj.
“Ftoj të gjithë gjimnazistët, të rinjtë dhe qytetarët të marrin pjesë në këtë protestë kombëtare. Ky është një sulm ndaj lirisë së fjalës dhe komunikimit. Vdekja tragjike e Martin Canit nuk ka asnjë lidhje me TikTok-un, siç mundohet ta paraqesë Rama për të justifikuar censurën,” deklaroi Berisha.
Sipas tij, qeveria po përdor këtë rast si pretekst për të kontrolluar rrjetet sociale dhe për të kufizuar hapësirat e lirë të shprehjes, veçanërisht në prag të zgjedhjeve.
“Ftoj të gjithë gjimnazistët, të rinjtë qytetarët, të marrin pjesë në protestë kombëtare më 15 mars para Kryeministrisë. Kërkohet anulimi i menjëhershëm i vendimit për censurën dhe bllokimin e TikTok. Ftoj prindërit dhe të rinjtë të mos bëhen viktimë e mashtrimit banal e të pacipë të Ramës. Vdekja e vrasja tragjike e Martin Canit në dyert e shkollës nuk kishte asnjë lidhje me TikTok-un. Martini dhe autori nuk kishin llogari në Tik Tok”, tha Berisha.
Vendimi i qeverisë:
Mbyllja e platformës “TikTok” në Shqipëri do të zgjas deri në momentin që kompania do të vendosë filtra. Po ashtu, në vendim theksohet se kompania duhet t’i vendosë këta filtra në gjuhën shqipe, në mënyrë që të shmangen përmbajtjet e dhunës apo bullizmi në këtë rrjet social.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, pika 1, 26, pika 1, 139, pika, 2, 174 e 177, pika 5, të ligjit nr.54/2024, ‘Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë’, të neneve 32, pika 4, 32/1, 42 e 46, të ligjit nr.97/2013, ‘Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, si dhe të pikës 4, të nenit 27, të ligjit nr.18/2017, ‘Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës’, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Arsimit dhe Sportit, të ministrit të Drejtësisë, të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave vendosi ndërprerjen e aksesit në platformën ‘online’ ‘TikTok’ në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj, me qëllim shmangien e ndikimeve negative dhe të problematikave sociale në tërësi, kryesisht në nxitjen e dhunës, veçanërisht te fëmijët, që sjellin probleme të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale”, – thuhet në vendim.
Po ashtu, në vendim thuhet se pas vendosjes së filtrave të nevojshëm nga “TikTok”, mund të vendosen masa të reja ose të rishikohen masat në fuqi.
“Caktimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me autoritetet rregullatore sektoriale e nëpërmjet tyre, si dhe autoritetet e tjera, që përfshihen në këtë proces, për të komunikuar e negociuar me përfaqësuesit e platformës ‘online’ ‘TikTok’ dhe me përfaqësues të platformave të tjera ‘online’, për të adresuar problematikat në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital, duke përfshirë: operimin efektiv të sistemeve funksionale të verifikimit të moshës së përdoruesve të platformës, operimit të sistemeve të kontrollit prindëror lidhur me përmbajtjet, që dëmtojnë zhvillimin fizik, psikologjik ose moral të fëmijëve, shmangien e publikimit të materialeve me përmbajtje dhune, bullizmi, gjuhë urrejtjeje apo me fjalor të papërshtatshëm, përshtatjen e përdorimin e filtrave të moderimit për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare”, – thuhet në VKM.