zoom

Bota

Propozimi i Zelensky-t për t’i dhënë fund luftës në këmbim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka lënë të kuptohet se një marrëveshje armëpushimi mund të arrihet në luftën me Rusinë nëse territoret ukrainase do të futeshin “nën ombrellën e NATO-s”.

Kjo, sipas tij, do t’i mundësonte atij që të negociojë kthimin e territoreve të mbetura më vonë “në mënyrë diplomatike” .

Kjo është hera e parë që Zelensky përmend një marrëveshje që do të përfshinte kontrollin rus të një pjese të territorit ukrainas. Sot Rusia mban rreth 20%-25% të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Deri më sot, Zelensky ka këmbëngulur se nuk do t’i dorëzojë kurrë territoret e pushtuara Rusisë dhe as Krimenë, të cilën Rusia e ka pushtuar që nga shkurti i vitit 2014. Siç shpjegoi ai, kjo nuk lejohet nga Kushtetuta e Ukrainës dhe se e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është të bien dakord që banorët e rajoneve të shkëputen.

Në një intervistë me Sky News, presidentit ukrainas iu kërkua t’i përgjigjet raporteve të mediave se një nga planet e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës mund të ishte që Kievi t’i lëshonte Rusisë territoret që Moska ka marrë, shkëmbim për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Zelensky u përgjigj se anëtarësimi në NATO duhet t’u ofrohet pjesëve të lira të vendit për t’i dhënë fund “fazës së nxehtë të luftës”, për sa kohë që ftesa e NATO-s njeh kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.

Në fakt, siç komenton Sky News, ai dukej se pranonte që pjesët lindore të vendit të pushtuara nga Rusia do të liheshin për momentin jashtë një marrëveshjeje të tillë.

“Nëse duam të ndalojmë fazën e nxehtë të luftës, duhet të marrim nën ombrellën e NATO-s territorin e Ukrainës që kemi nën kontrollin tonë”, tha ai për rrjetin britanik. Ai shtoi se “duhet ta bëjmë shpejt. Dhe pastaj territoret [të pushtuara] të Ukrainës, Ukraina mund t’i marrin ato përsëri diplomatikisht.”

Sipas liderit ukrainas, armëpushimi është i nevojshëm “për të garantuar se Vladimir Putin nuk do të kthehet” për të pushtuar më shumë territor ukrainas.

Ai madje i kërkoi NATO-s që të “mbulojë menjëherë” pjesën e Ukrainës që mbetet nën kontrollin e Kievit.

Në pyetjen e Sky për Presidentin e zgjedhur Trump, ai tha se “Unë dua të punoj drejtpërdrejt me të, sepse ka zëra të ndryshëm nga njerëzit përreth tij. Dhe kjo është arsyeja pse ne nuk duhet të lejojmë askënd përreth të shkatërrojë komunikimin tonë.”

Për diskutimin që patën shtatorin e kaluar, Volodymyr Zelensky tha se ishte “shumë i ngrohtë, konstruktiv, një takim shumë i mirë dhe një hap i parë i rëndësishëm. Tani duhet të përgatisim disa takime”.