zoom

Ekonomi

Propaganda e Ramës me heqjen e taksave për pagat

Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama paraqiti sot si lajm të madh, propozimin e tij për zerimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra. Ky ndryshim supozohet të vijë në një kohë kur taksa zero është për pagat deri në katërqind mijë lekë të vjetra.

Por me një llogari të thjeshtë, me kalkulatorin (llogaritësin) për pagat, rezulton se tatimi për një pagë 50 mijë lekë është vetëm 1 300 lekë, shumë kjo thuajse e papërfillshme në krahasim me pagën.


Pra Rama pretendon që me propozimin e tij të heqë vetëm 1300 lekë nga barra e pagave 50 mijë lekëshe. Qeveria shqiptare nga ana tjetër është shteti që ka taksën më të lartë në rajon për shtresën drejtuese, plot 23% të pagës.

“Të flas për 380 mln euro që faktikisht nuk ekzistojnë, është pak si e sikletshme. E kam dëgjuar që ju përsërisni që ne e taksokemi punën më shumë se kapitali, sepse e paskemi më shumë në rajon, por kjo nuk është e vërtetë. Shkon në maksimumin 5,.5% dhe Shqipëria ka taksat më të ulëta. S’ka në rajon biznes me zero taksë, apo taksë zëro për pagat, deri në 400 mijë lekësh. Së shpejti do të sjellim propozimin që ta zerojmë deri në 500 mijë lekë. Nga del këtu që paskemi taksën më të lartë të punës. Këtu kam raportin që flet për punësimin. Përtej aludimeve, unë di këtë që kur ne kemi marrë detyrën, të regjistruar në total në punë ishin 349 mijë vetë. Di këtë që sot të regjistruar janë 707 mijë persona,”- tha Rama.

Duhet thënë se taksa progresive është pjesë e programit të qeverisë prej vitesh. Debati për taksën progresive a të sheshtë u shua pas zgjedhjeve të 25 prillit. Me qeverinë “Rama 3”, punonjësit që marrin më shumë do të paguajnë më shumë, ndërsa do të ruhen 3 fashat e tatimit nga 0 deri në 23%.

Kështu punonjësit që marrin pagë minimale 30 mijë lekë janë të përjashtuar nga tatimi, punonjësit me rrogë deri në 150 mijë lekë tatohen për 13% rrogës dhe pjesa tjetër 23%.

Për referencë, nga paga 70 mijë lekë, punonjësi paguan tatim 7400 lekë. Por, barra për të shtohet edhe me kontributet shoqërore e shëndetësore.

Ndërkohë, një individi me pagë 30 mijë lekë, i përjashtuar nga tatimi, i mbahen 8300 lekë kontribute.

Por, për punonjësit, barrë janë edhe taksat e tarifat vendore, të cilat janë më të larta në kryeqytet se në rrethe. Për këto të fundit, ndërmjet Tiranës dhe bashkive ka diferencë në pagesa, duke nisur nga 14.5% për pagat e ulëta deri në 0.6% për pagat e larta. Për vitet në vijim qeveria programon të përjashtojë nga tatimi mbi të ardhurat edhe personat me pagë deri në 50 mijë lekë, të cilët arrijnë në 435 mijë të punësuar./ Zoom.al