zoom

Aktualitet

Pronari i stanit terrorizon me kallash banorët e Karaburunit, Policia e arreston (Detajet)

Policia e Vlorës arrestoi sot një 42-vjeçar, pronar stani, i cili akuzohet se qëlloi me armë në ajër në Karaburun, duke terrorizuar banorët e zonës.

Burime zyrtare bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet A. J., banues në fshatin Dukat, nga shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë dhe Delta Force, gjatë operacionit të koduar “Strike 9”.

“Vihet në pranga një 42-vjeçar që qëlloi me armë zjarri në ajër, në Karaburun, duke rrezikuar banorët e zonës. Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov, një krehër dhe municion luftarak.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të marrë se në Karaburun, në vendin e quajtur “Gallolec”, një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri që e mbante pa leje në stanin e tij, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 9”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: A. J., 42 vjeç, banues në fshatin Dukat”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ngjarja ndodhi dje, kur i dyshuari u denoncua se ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov, në Karaburun, në afërsi të stanit të tij, duke rrezikuar banorët e zonës.

“Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit në këtë zonë kanë gjetur të fshehur dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov, një krehër dhe municion luftarak. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, tha policia vendore. /ZOOM.AL/