zoom

Aktualitet

“Prokuroria ka regjistruar veprën penale për vrasje”/ Eksperti i kriminalistikës flet për vdekjen e 4 rusëve në sauna: I gjithë hoteli…

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të premten në Qerret. Katër turistë rusë janë gjetur të vdekur rreth orës 22:20 të së premtes, më 15 tetor, në hotelin ku po qëndronin. Turistet Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkova, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç dhe Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe janë gjetur pa shenja jete në saunën e hotelit ku po qëndronin nga personeli.

Natalia dhe Sergei ishin prindërit e Ekaterines, ndërsa Nikita i dashuri i saj. Mediat ruse shkruanin se 58-vjeçarja vuante nga kanceri dhe nuk mund të futej në sauna, ndërsa çifti i ri kishin planifikuar dhe martesën e tyre.

Ngjarja fillimisht u mendua se ishte një asfiksim nga sauna dhe përdorimi i pijeve alkoolike, por duket se një piste e tillë nuk është zyrtarizuar nga Policia që po punon ne pistën e vrasjes.

Ditën e sotme kjo ngjarje e rëndë u diskutua në emisionin “Shqipëria Live”, ku në lidhje “Skype” ishte profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço. Ky i fundit u shpreh se Prokuroria e Shtetit e ka regjistruar për momentin si vrasje, por që mund të ndryshojë me kalimin e kohës pas hetimeve më të thelluara.

“Prokuroria e Shtetit e ka regjistruar si vrasje në bazë të rrethanave që ka aktualisht, e për të cilat më vonë mund të regjistrohet ndryshe. Në bazë të të gjitha informacioneve të marra nga vendi i ngjarjes, është bërë një analizë e përgjithshme duke analizuar të gjitha pistat, e vrasja qëndron më shumë se hipotezat e tjera”, tha Karamuço.

Sipas këtij të fundit, asfiksimi bie poshtë pasi kuptohet menjëherë nëse janë asfiksuar apo jo dhe nuk ka nevojë për shumë kohë.

“Ndërsa duhet bërë një analizë tjetër për të kuptuar çfarë pijesh dhe ushqimesh kanë përdorur viktimat. E këtu në Shqipëri ka një problem pasi një procedurë që bëhet 24 orë burokratikisht zgjat 2 orë. E kjo duhet të jetë më e shpejtë se viktimat nuk mund të mbahen në morg shumë gjatë”, tha eksperti i kriminalistikës.

Karamuço shtoi më pas se i gjithë hoteli është vendi i ngjarjes, jo vetëm ku janë gjetur katër viktimat.

“Të gjithë do të merren në pyetje. Edhe kuzhina, fqinjët nëpër dhomat e tjera. Nga pikëpamja e doktrinës janë të dyshuar të gjithë e kjo në interes të hetimit”, tha ai.

Postime të lidhura