zoom

Aktualitet

“Prokurori Olsi Dado liroi autorin e vrasjes në Ndroq”/ Pas deklaratës së Berishës, reagon SPAK

Ish-kryeministri Sali Berisha, përmes një postimi të bërë në Facebook deklaroi se prokurori Olsi Dado liroi nga burgu Julian Gjoshin, i cili dyshohet se sot ekzekutoi me armë zjarri Alfred Dedjan në Ndroq.

“Miq, autorin e vrasjes në Ndroq, e liroi nga burgu anëtari i organizatës kriminale, SKAP-i i Partisë Ols Dado!”- shkroi Berisha.

Pas këtyre deklaratave ka reaguar SPAK, duke i përgënjeshtruar ato dhe duke deklaruar se informacioni është i pavërtetë.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përgënjeshtron deklaratën e sotme përmes të cilës aludohet se prokurori i posaçëm, Ols Dado “ka liruar nga burgu kunatin e Altin Hajrit”.

SPAK sqaron se informacionet që janë përmendur në këtë deklaratë janë tërësisht të pavërteta dhe nuk kanë asnjë lidhje me prokurorin e përmendur.
SPAK i bën thirrje mediave dhe opinionit publik të jenë të kujdesshëm ndaj informacioneve të pasakta dhe spekulative.

SPAK apelon për një trajtim të përgjegjshëm dhe të balancuar të informacionit nga ana e përfaqësuesve politikë dhe mediave dhe nënvizon se do të vijojë punën pa asnjë kompromis në ruajtjen e integritetit dhe besueshmërisë së publikut në ushtrimin e funksioneve të tij,”- thuhet në deklaratën e SPAK-ut./ Zoom.al