zoom

Bota

Profil/Kush është Abazoviç, shqiptari që bëri histori në Malin e Zi?

Dritan Abazoviç u votua sot nga Kuvendi i Malit të Zi si kryeministër i qeverisë së pakicës. Ndonëse nga emri është qeveri pakice, ai arriti që të gjejë mbështetjen e 45 deputetëve në një parlament me 81 të zgjedhur. Pra arriti të sigurojë mbështetje edhe më të madhe sesa arriti të sigurojë paraardhësi i tij në këtë post, Zdravko Krivokapić.

Po kush është Abazoviç?

Përpara se të niste vrapin drejt majës së shtetit, 36-vjeçari Abazoviç ishte aktivist qytetar e bashkëpunëtor i gjatë i organizatave joqeveritare në fushën e të drejtave të njeriut. Ai angazhohej në projekte që kishin të bënin me promovimin e multikulturalizmit në zonat e ish-Jugosllavisë pas luftërave.

Më pas ai kishte shkuar në vendin e multikulturalizmit. Kishte banuar për pak kohë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa merrte pjesë në programin e Departamentit të Shtetit në Uashington D.C.

Në vitin 2010, ai e kishte botuar librin e tij të parë “Kultura kozmopolitane dhe drejtësia globale”. Nga po ai vit, Abazoviq kishte punuar si mësues në shkollën e mesme në Ulqin, duke dhënë mësim në lëndën sociologji e kulturës, komunikimit dhe historisë së fesë.

Abazoviç, i cili flet gjuhën shqipe, serbo-kroate dhe angleze, ishte një nga themeluesit e partisë politike social-liberale “Mali i Zi Pozitiv” në vitin 2012. Në zgjedhjet parlamentare malazeze të vitit 2012, ai ishte bërë deputeti më i ri në Parlament.

Në vitin 2014, pas një ndarjeje në parti, Abazoviq u largua nga aty, duke shërbyer si deputet i pavarur përpara se t’i bashkohej Lëvizjes URA, të sapothemeluar në 2015, të cilën e udhëhoqi me një sukses të jashtëzakonshëm në vitet pasuese.

Në zgjedhjet parlamentare të 2020 forca që ai drejtonte do të ikshte përcaktuese për t’i dhënë fund pushtetit 30-vjeçar të Milo Gjykanoviç, i cili herë si kryeministër e herë si president kishte dominuar politikën malazeze.

“Ne e dinim se do ta ndryshonim lojën. Kemi pritur ndryshimin e qeverisë për 30 vjet. Shumë njerëz nuk e kanë besuar, por tani është realitet. E thamë se do ta shkruanim historinë dhe e shkruam. Mafia nuk do të sundojë më ne Malin e Zi”, deklaroi Abazoviq pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, ku fituan 4 mandate, të cilat ishin vendimtare për formimin e qeverisë së re.

Pas zgjedhjeve të 2020 ai do të bëhej pjesë e koalicionit të ri qeverisës, të kryesuar nga Zdravko Krivokapiç dhe ku vet Abazoviç do të mbante postin e numrit dy të qeverisë.

Por për shkak të orientimeve të ndryshme politike, bashkëjetesa në koalicionin qeveritar u bë e vështirë dhe kur kishte kaluar gati një vit nga krijimi i saj, do të nisnin përplasjet e hapura publike mes tij dhe kryeministrit Krivokapiç, një politikan pro-serb.

Mosmarrëveshjet shkuan deri në atë nivel sa  në fillim të këtij viti ai inicioi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë ku bënte pjesë edhe vet dhe duke propozuar në vend të saj krijimin e një qeverie pakice.

Me mbështetjen edhe të votave të partisë së presidentit Milo Gjykanoviç, mocioni i Abazoviç pati sukses në Kuvend. Qeveria e Krivokapiç ishte rrëzuar rreth 1 vit nga formimi i saj.

Pas këtij hapi Abazoviç kishte nevojë për mbështetjen e Gjykanoviç, partinë e të cilit vetëm pak muaj më parë e kishte rrëzuar nga piushteti pas 30 vitesh.

Mbështetje që erdhi me mandatimin e tij si kryeministër, por edhe me garantimin e votave të nevojshme në parlament për të mbështetur krijimin e qeverisë së pakicës. Pas shumë hezitimesh, këtë të enjte Abazoviç arriti të bëjë bashkë të gjithë faktorët pro tij dhe të votohet si kryeministër i ri i Malit të Zi. Ai është i pari shqiptar që mban një post të tillë në Mal të Zi dhe kryeministri i tretë shqiptar në rajon, krahas Edi Ramës dhe Albin Kurtit.