zoom

Ekonomi

Prodhimi i qumështit ndjek rënien e blegtorisë, 8% më pak 2023

Sasia e qumështit të grumbulluar vitin e kaluar shënoi rënie me 8% në krahasim me vitin 2022, raportoi INSTAT në vrojtimin e bërë me kompanitë e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit në vend.

Prodhimi i qumështit është rrjedhoje e rënies së numrit të bagëtive, të cilat vitin e kaluar ishin 11% më pak se në 2022 për secilën kategori.

Në vitin 2023, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 101 mijë tonë, duke shënuar rënie me 8,0%, krahasuar me 2022.

Gjatë kësaj periudhe, sasia e qumështit të lopës të grumbulluar është rreth 80 mijë tonë, duke pësuar rënie me rreth 7,6%, krahasuar me 2022.

Sasia e grumbulluar e qumështit të deles, në vitin 2023, është rreth 13 mijë tonë, duke shënuar rënie me rreth 10,6%, krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, sasia e grumbulluar e qumështit nga dhitë është rreth 8 mijë tonë, duke shënuar rënie me 8,2%, krahasuar me vitin 2022.

Nga sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar, rreth 13 mijë tonë është përdorur për prodhimin e qumështit për konsum njerëzor, pjesa tjetër shkon për përpunim. Struktura e qumështit të prodhuar për konsum dominohet nga qumështi i plotë i përpunuar 88,2%, qumështi gjysme i skremuar 8,1%, qumështi i papërpunuar 3,2% dhe qumështi i skremuar 0,5%.

Sasia e prodhuar e djathit gjithsej pësoi rënie me 7,7%. Ndërkohë djathi i prodhuar nga qumështi i dhisë shënoi rritje me 0,6%, djathi i prodhuar nga qumështi i deles shënoi rënie me 12,9% ndërsa djathi i prodhuar nga qumështi i lopës pësoi rënie me 7,3%. Sasia e djathit të prodhuar sipas fortësisë për vitin 2023, është: djathë i butë 49,0% djathë gjysmë i fortë 27,9%, të tjera prodhime të freskëta 14,4% dhe djathë i fortë 8,8%.

Sasia e prodhuar e gjalpit gjithsej për vitin 2023 është rreth 608 tonë, ku 98,2% e zë gjalpi tradicional dhe 1,8% e zë gjalpi i shkrirë.

Ndryshe nga të dhënat administrative, Anketa e qumështit dhe nënprodukteve të tij është një vrojtim statistikor që kryhet pranë ndërmarrjeve të cilat grumbullojnë dhe përpunojnë qumësht në territorin e Republikës së Shqipërisë. Objektivi kryesor i vrojtimit vjetor të qumështit është të japë informacion të plotë për sasinë e qumështit të grumbulluar (të gjitha llojet e qumështit) dhe të nënprodukteve të tij. Të dhënat për qumështin e grumbulluar dhe nën produktet e prodhuara, objekt i këtij publikimi i përkasin vetëm sasisë që përdoret nga industria e cila zë vetëm një pjesë të prodhimit gjithsej të qumështit të njësive ekonomike bujqësore.

Sipas të dhënave të sotshme të INSTAT në vitin 2023 në të gjithë vendin kishte 263 mijë gjedhë me rënie vjetore 11.5%

Ndërsa numri i të imtave shënoi rënie me 11.7 për qind. Me rënie 16% ishte edhe numri i derrave. Teksa me rritje ishin vetëm shpendët dhe kosheret me nga 2,6 dhe 8.2% secila.

Sipas të dhënave numri i gjedhëve në vitin 2023, është 263.385 krerë. Kategoria kryesore përfaqësohet nga lopët e qumështit me rreth 88,24% ndaj numrit gjithsej të krerëve.

Në vitin 2023, numri i të leshtave është 1.206.206 krerë. Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me rreth 83,43% ndaj numrit gjithsej të tufës. Numri i të dhirtave në vitin 2023, është 640.242 krerë. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dhitë e qumështit me 79,96% ndaj numrit gjithsej të krerëve./ Monitor