zoom

Aktualitet

“Kishte të vjella”/ Drejtori i spitalit në Shkodër jep detaje për vdekjen e 3-vjeçarit

Drejtori i spitalit të Shkodrës, Senad Halluni doli në një deklaratë për mediat pasditen e kësaj të hëne, për të dhënë detaje për vdekjen e 3-vjeçarit.

Halluni sqaroi se i mituri është dërguar në spital nga familjarët e tij që të premten me të vjella dhe pas trajtimit, ata e kanë marrë në shtëpi.

Por, 3-vjeçari është rikthyer në spital një ditë më pas në gjendje të rëndë dhe pas disa minutash, ai ka humbur jetën.

Sipas drejtorit të spitalit, rreth 30 minuta pas 3-vjeçarit, për ndihmë mjekësore ka shkuar edhe motra e tij, e cila ka shfaqur të njëjtat shenja.

Senad Halluni: Të premten në orën 16:40 në pediatri është paraqitur vogëlushi me shenja e të vjellave. Ai është trajtuar për këto simptoma sipas protokollit të spitalit. Familjarëve i është propozuar pas dy orësh të qëndrojnë në spital për të vijuar trajtimin.

Pas sqarimeve me familjarët, i ati vendosi për të marrë fëmijën dhe për të mos vazhduar trajtimin dhe këshillën e mjekes. Babai ka vendosur firmën në kartelë. Të shtunën në mëngjes ka ardhur në gjendje të rënduar në pediatri, pacienti 3-vjeçar, pothuajse pa shenja jete, me puls shumë të ulët.

Në atë moment kanë qenë mjekët që janë munduar që të bëjnë reanimimin e fëmijës. Për treçerek ore kanë vazhduar çdo procedurë të dhënies së ndihmës së shpejtë. Pas 30 minutash ka ardhur edhe e motra 8-vjeçare me të vjella. Më pas është vendosur menjëherë zhvendosja e saj në terapi intensive.

Greta Naraçi (shefe e pediatrisë): Në momentin kur ka ardhur fëmijë ishte në gjendje të shokut kardiak, insuficiencë kardiake tepër e rëndë dhe ishte shumë vonë për ne që të japim ndihmën e duhur. Ishte situatë e vështirë dhe ne u munduam që ta ulim në reanimacion por koha ishte shumë e shkurtër dhe nuk na la kohë për diagnozë. Në dijeninë tonë prindërit na thanë se nuk kishte konsumuar asgjë dhe nuk kemi mundur që të vendosim se çfarë është. Ishte e vështirë për t’i marrë edhe gjakun.

Jam e ngarkuar emocionalisht shumë. Ardhja e fëmijës së dytë me gjyshërit dhe jo me prindërit sepse ata vendosën firmën dhe ikën duke menduar se virozë dhe pastaj kur erdhi fëmija i dytë vendosëm gjithë bashkë që vajza të dërgohet në Tiranë. Vajza është në gjendje të rëndë në Tiranë dhe nuk kemi asnjë konfirmim deri më tani se cili është shkaku.

Postime të lidhura