zoom

Politikë

Problem rritja e çmimit të naftës? Rama “largon vëmendjen”: Më e rëndë, kriza e energjisë

Teksa e cilësoi rritjen e çmimit të naftës si një pasojë të drejtpërdrejtë të luftës, kryeministri Edi Rama, në një konferencë për mediat “largoi vëmendjen” nga kjo problematikë, duke i mëshuar faktit se pikë së pari, më e rëndë është kriza e energjisë.

“Disa muaj më parë u shfaqën simptomat e parë të krizës energjetike. Ata që janë më të zëshëm protestojnë për naftën por më e rënda është kriza e energjisë e cila po konsiderohet si pandemia e re. Unë do ta përsëris pa fund këtë gjë sepse kjo qeveri e ka deklaruar që në krye të herës se jemi përballë një krize. Tani jemi ne zemrën e krizës dhe ne do u vëmë mburojë konsumatorit familjar dhe bizneseve të vogla.

Faktikisht sot nëse çmimi i energjisë do të jetë ky që është sot ku jemi të detyruar të importojnë do na duhen 640 mln dollar ekstra deri në fund të vitit për të mbrojtur familjarët dhe bizneset e vogla. Këtë po bën kjo qeveri dhe është për të qeshur dhe të qarë kur kjo merret si e mirëqenë. Unë e tregoj çmimin energjisë sepse nëse do bënim atë që po bëjmë vendet e tjera duke e rritur koston do preknim pjesën vulnerabël të shoqërisë që nuk ka vetura.

Do preknim me pensionistët, fermerët, motorin e vetëpunësimeve dhe punësimit të biznesit të vogël. Nëse çmimi i energjisë do kthehet aty ku ishte para luftës na duhen 295 mln ekstra. I them këto për të bërë të qartë se nuk shikohet kjo pamje vetëm duke u fokusuar te taksat e naftës. Ne kemi te struktura e çmimit të naftës një tarifë që të tjerë nuk e kanë. Por ata nuk e kanë taksën zero për biznesin e vogël”, deklaroi Rama.