zoom

Aktualitet

Privatizohet ish-zona ushtarake e Farkës, qeveria hap konkursin për qendër eventesh

Qeveria do të vërë në dispozicion të eventeve kulturore 6 hektarë nga zona ushtarake e Farkës në kryeqytet.

Në një sipërfaqe prej 6 hektarësh, në ish-zonën ushtarake të Farkës në kryeqytet, qeveria deklaron se do financojë ndërtimin e një qendre multifunksionale.

“Expo Albania” do të jetë një hapësirë e dedikuar për evenimente, panaire, koncerte dhe takime, njëherazi edhe si strukturë akomoduese pasi parashikohet të ndërtohen edhe hotele me 3 apo 4 yje. Ajo pritet të jetë salla më e madhe në vend duke kaluar edhe pallatin e Kongreseve.

Përmes Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit është çelur, në fund të muajit dhjetor, edhe konkursi ndërkombëtar mbi idetë e projektimit.

“Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është Autoriteti Organizues i procesit të konkursit, i cili do të zhvillohet në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 512, datë 30.08.2023 “Për ngarkimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit si organ qendror blerës për realizimin e konkursit të projektimit për projektidetë e zhvillimit të Tirana Expo, dhe për një shtesë fondi në buxhetin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, miratuar për vitin 2023” dhe në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në ligjin shqiptar për prokurimet publike,” thuhet në shpalljen e AKPT-së.